E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli fsheh të vërtetën e Gërdecit

Partia Socialiste akuzon kryeparlamentaren Jozefina Topalli për shtrembërim të së vërtetës së tragjedisë së Gërdecit. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, Topalli ka fshehur implikimin e kryeministrit Sali Berisha në krimin shtetëror të Gërdecit. “Raporti mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për autorizim, për procedim penal ndaj deputetit Mediu”, produkti i Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetin që, siç thekson Braçe, mban firmën e Topallit, nuk thotë të vërtetën. Për gjithë aktivitetin dhe atë çka ndodhte në Gërdec, sipas Braçes, ka pasur dijeni edhe kryeministri Sali Berisha, ndërsa në raport thuhet: “Për këtë kanë pasur dijeni dhe informacion të përditshëm nga raportet ditore të Qendrës Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm drejtori i SHIU-t, zëvendësministrat e Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Presidenti i Republikës”. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së e cilëson si të pavërtetë këtë konkluzion, që i shërben kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, në materialet që prokuroria i ka dërguar Kuvendit, gjendet komunikata ditore me të cilat vihet në dijeni kryeministri Sali Berisha, për depozitimin e predhave për demontim në Gërdec, që sipas tij, është bërë në kundërshti me vendimin e Këshillit të Ministrave, të firmosur nga vetë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›