E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja denoncon të tjera fakte për aferën betonuese Rama-Berisha



Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar edhe dje me denoncimet publike ndaj aferave korruptive që kanë të bëjnë me zaptimin e trojeve publike për betonizimin e Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se afera korruptive e kryetarit të Bashkisë Edi Rama me kryeministrin Berisha ka në plan që të zhdukë edhe të tjera sipërfaqe të gjelbra, si Kopshti Botanik, kompleksi “Dinamo” dhe zona e Gardës së Republikës.
“Në vijim të informimit të qytetarëve lidhur me këtë aferë të përmasave të jashtëzakonshme, një fakt tjetër skandaloz është e ashtuquajtura detyrë e projektimit të disa muajve më parë e Bashkisë së Tiranës për zonën përgjatë Liqenit Artificial, që përfshin Kopshtin Botanik, kompleksin ‘Dinamo’ dhe zonën e Gardës së Republikës. Kjo detyrë projektimi bazohet në një vendim të KRRT-së së Tiranës në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mbledhje, kur vendosej edhe për asgjësimin e klubit sportiv ‘Partizani’, të cilin e kemi denoncuar ditë me parë”, - tha Vasili.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së e quajti skandaloz këtë plan të Bashkisë së Tiranës, duke argumentuar se as Garda e Republikës, as kompleksi sportive “Dinamo” dhe as Kopshti Botanik nuk janë pronë e Bashkisë së Tiranës. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, sportistëve dhe sportdashëse, shoqërisë civile, organizatave dhe politikanëve, që të reagojnë ndaj këtij rreziku kërcënues për Tiranën.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›