Qeveria bllokon kompensimin financiar të ish-pronarëve
Eljona Ballhysa
Megjithëse qeveria ka miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2008 një fond prej 500 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve, ky fond ende nuk i është akorduar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërkohë që ka kaluar gjysma e vitit 2008, kjo Agjenci ende nuk ka në dorë fondin për të nisur procesin e kompensimit. Nëndrejtori i kësaj Agjencie, Genci Çelo, i cili mban dhe postin e drejtorit për Kompensimin, bën të ditur për gazetën “Albania” se Agjencia është në pritje të një vendimi të Këshillit të Ministrave për të nisur procesin e kompensimit financiar për ish-pronarët.
Deklarata
Sipas Çelos, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të ish-Pronarëve ka bërë të gjitha përgatitjet për ndarjen e fondit, ndërkohë që është në pritje të miratimit nga qeveria të vendimit për procedurat që do të ndiqen për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Për të qenë të qartë dhe të saktë, ky fond është 500 milionë lekë dhe janë më shumë sesa 5 milionë dollarë, që është deklaruar në media. Ai fond është miratuar dhe është në buxhetin e shtetit, megjithatë ndarja e tij kryhet gjithmonë sipas procedurave që miratohen me një vendim të Këshillit të Ministrave. Pavarësisht që shtypi flet, unë deri tani nuk kam asnjë vendim të Këshillit të Ministrave për fillimin e procedurave të shpërndarjes së këtij fondi. Prandaj ne jemi në pritje. Janë bërë të gjitha përgatitjet, se çfarë duhet, por që deri tani nuk kemi marrë asnjë vendim nga Këshilli i Ministrave”, - është shprehur nëndrejtori Çelo. Fondi prej 500 milionë lekësh është parashikuar për vitin 2008, ndaj dhe ky fond duhet të ndahet medoemos brenda këtij viti. Nëse kalon afati, ky fond digjet. Megjithatë, Çelo arsyeton se afati për ndarjen e fondit përcaktohet në vendimin e qeverisë, i cili pritet të miratohet. “Natyrisht, që siç janë bërë gjithë vitet e tjera do të bëhet edhe këtë vit. Vendimi i qeverisë përmban edhe afatin brenda të cilit pranohen kërkesat. Ky afat përcaktohet në vendim dhe për një muaj, me hyrjen në fuqi të vendimit, fillon edhe nisja e kohës”, - është shprehur Çelo.
Kompensimi
Sipas Çelos, me daljen e vendimit të qeverisë do të njoftohen ish-pronarët për datat në të cilat fillon pranimi i kërkesës së tyre për përfitimin e kompensimit. Ish-pronarët duhet të paraqesin në dosjen e tyre vendimin e komisionit të kthimit të pronave, aktin e trashëgimisë, prokurën që i jepet personit për të ndjekur procesin. Më pas Agjencia merret me verifikimin e dokumentacionit të paraqitur dhe pas mbledhjes së informacionit të nevojshëm jepet ose jo konfirmimi për kompensimin financiar apo dhe për kthimin fizik të pronave ish-pronarëve. “Me daljen e vendimit ne bëjmë një njoftim në media nga Agjencia e Pronave, për të mos çoroditur ish-pronarët. Gjatë asaj periudhe të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin kërkesën e tyre, e cila përmban disa dokumente, që janë vendimi i komisionit të kthimit të pronave, është akti i trashëgimisë, prokura që i jepet një personi që do të ndjekë të gjithë procedurën, pastaj është procedura tjetër, që është verifikimi i atyre vendimeve, që është një çështje e zyrave tona. Merret i gjithë informacioni dhe konfirmimet e nevojshme dhe më në fund bëhet shpallja e personave që përfitojnë sipas procedurës që është e miratuar. Nga ky fond do të përfitojnë pronarët nga e gjithë Shqipëria”, - ka sqaruar nëndrejtori Çelo. Ai bën të ditur se pronarët që do të bëhen pjesë e procesit të kompensimit financiar do të jenë ato që paraqesin të parët kërkesë. Pra ndarja e fondit do të bëhet në mënyrë kronologjike dhe jo sipas një përzgjedhjeje të rastësishme. “Kjo metodë është ndjekur në vitin 2005, atëherë është bërë rastësor dhe me short. Në 2006-2007-n ka pasur një renditje kronologjike përsa u përket përzgjedhjeve të marra, dhe përzgjedhjet do të bëhen sipas renditjes kronologjike. Pra ai që ka një vendim të parin për kompensim, do të përfitojë dhe është i pari në listë”, - ka sqaruar Çelo. Ai nuk është në gjendje të thotë se sa pronarë do të përfitojnë kompensim nga fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për vitin 2008, pasi nuk dihen se në cilat zona ndodhen trojet për të cilat do të marrë kompensim ish-pronari.
5 Gusht 2008