LSI-ja i bën thirrje opozitës të votojë Gjykatën Administrative

Ardit Çela sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i Lëvizjes Socialiste për Integrim përmes një deklarate për shtyp ditën e djeshme e cilësoi vitin që sapo lamë pas si viti i suksesit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sekretari i Marrëdhënieve me publikun i LSI-së, Çela vlerësoi liberalizimin e vizave si një arritje dhe sukses i qeverisë dhe i gjithë shqiptarëve. “Sot, lëvizja e lirë pa viza në Europë, nuk është më një ëndërr, por është një fakt i pamohueshëm dhe një realitet i prekshëm për të gjithë. Dhe shqiptarët,meritojnë të gjitha nderimet dhe respekt maksimal me sjelljen e tyre dinjitoze në këto ditë të para te liberalizimit”, tha Çela për mediat. Në këtë deklaratë për shtyp ai theksoi gjithashtu se ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, në një vit kur kriza ekonomike e financiare gjunjëzoi dhe tronditi ekonomi të fuqishme europiane e botërore, ka qenë një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë për vitin që kaloi, duke treguar që reformat e kryera kanë qenë tejet efikase, e duke dhënë garanci të sigurta e të mëtejshme për 2011-ën. Çela, sekretari për marrëdhëniet me publikun vuri theksin të reformat europianizuese që do të ndërmarrë vendi në 2011-ën. “Viti 2011, është një vit tejet i rëndësishëm. Është viti në të cilin duhet të vazhdojnë me ritme të shpejta të gjitha reformat europianizuese në vend. Prandaj qytetarët shqiptarë, kërkojnë nga klasa politike që të jetë në të njëjtën linjë me aspiratat e tyre”, tha Çela në këtë deklaratë për mediat. Përfaqësuesi i LSI-së e vlerësoi vitin 2011 si të rëndësishëm për vijimin e të gjitha reformave europianizuese të vendit, dhe kërkoi nga opozita konsensus për miratimin e projektligjeve për Gjykatën Administrative dhe reformën zgjedhore. Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformën zgjedhore dhe të votojë ligjin për Gjykatën Administrative. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Ardit Çela përmes një deklarate për shtyp për mediat deklaroi se opozita gjatë vitit që sapo kaloi, ndoqi një politikë bllokuese dhe në mungesë të plotë të alternativave. Për fat të keq, vitin që kaloi, u vërejt mungesa totale e kontributit të opozitës për të bashkëpunuar. “Këtë vit, nevojitet një qasje tjetër nga ana e opozitës, sidomos kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme, pasi qytetarët shqiptarë, kërkojnë që klasa politike të jetë në të njëjtën linjë me aspiratat e tyre”, tha Çela. Ai theksoi gjithashtu se opozita duhet të investohet pozitivisht në të mirë të interesave të vendit. “Votimi dhe ngritja e Gjykatës Administrative është një nga hapat e parë që duhen ndërmarrë dhe për të cilat opozita duhet të ndërrojë mendje, pasi është një kërkesë e vetë biznesit, e vetë shoqërisë, por është njëkohësisht edhe një ndihmë e aleatëve tanë strategjikë e cila nuk mund të refuzohet”, theksoi Çela. Në përfundim të deklaratës së tij sekretari për marrëdhëniet me publikun i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ardit Çela tha se fillimi i punës për reformën zgjedhore, si një kërkesë e Parlamentit Europian është një tjetër hap i cili duhet hedhur, dhe për të cilin opozita duhet të japë konsensusin e saj, pasi në kundërshtim nga sjellja e vitit të kaluar, tashmë ka ardhur koha për t’u treguar seriozë e të përgjegjshëm.
...