Rama lë në mëshirë të fatit qytetarët e Tiranës, kolapsi i trafikut hyn në ditën e tij të tretë

Asnjë përgjigje nga institucioni përgjegjës për katrahurën që mbizotëron në rrugët e kryeqytetit. Dyert dhe dritaret e bunkerit në qendër të Tiranës janë izoluar, ndërsa trafiku është kthyer në makthin e tmerrshëm të qytetarëve. Edi Rama ka shkelur premtimin e dhënë pak kohë më parë kur tha se me fillimin e punimeve në sheshin “Skënderbej”, për menaxhimin e trafikut do sigurohen rrugë alternative, të cilat s’u vunë në jetë asnjëherë në shërbim të qytetarëve që qarkullojnë në kryeqytet me automjetet e tyre apo dhe këmbësoret apo turistët që vizitojnë Tiranën
Kreu i bashkisë së Tiranës Edi Rama duket se e ka harruar postin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës të cilin këto ditë e ka shqetësuar së fundmi fati i zi i djegies së fletëve të votimit. Ai e ka lënë Tiranën në mëshirë të fatit dhe nuk e ka venë ujin në zjarr për shqetësimet dhe problematikat që hasin çdo ditë e më shumë qytetarët e Tiranës për shkak të trafikut tejet të ngarkuar që degjeneron dhe bëhet shkak i grindjeve por edhe aksidenteve mes qytetarëve, të cilët qarkullojnë me automjete nëpër kryeqytet.
Tashmë alarmi dhe drita e kuqe është ndezur nëpër të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, aq më tepër me vënien në zbatim që prej tre ditësh të planit rregullues që ka venë institucioni i Bashkisë së Tiranës i cili konsiston në bllokimin totalisht nga të dyja krahët e sheshit “Skënderbej” ku tashmë asnjë automjet nuk mund të qarkullojë në këtë aks rruge. E gjitha kjo vjen si shkak i punimeve të kryetarit të bashkisë së Tiranës i cili nuk ka kohë të merret me problemet e njerëzve dhe të mbajë përsipër përgjegjësitë që i takojnë për këtë post që mban por shqetësimi dhe problem i tij kryesor dhe i vetëm vazhdon të mbetet ende fati i fletëve të votimit të cilat tashmë po asgjësohen ndaj ky realitet se lë të qetë kryetarin e bashkisë së Tiranës Edi Ramën.
Si është e mundur që deri më tani Rama ka pasur kohë të dalë nëpër media e të lëshojë sharje e akuza kundrejt kryeministrit Berisha dhe ministrave të kabinetit të tij? Ndërsa për sa i përket shqetësimit më të madh që kanë qytetarët e Tiranës në lidhje me tensionin që përjetojnë çdo ditë e me shumë, Rama hesht për këtë fakt, por ndërkohë vazhdon të bëjë viktimën duke vazhduar së bashku me krerët e tjerë të opozitës të bojkotojë çdo ligj duke mos marrë asnjë nismë dhe të vazhdojë të hedhe akuza në lidhje me plan rregullimin e Tiranës.
Edi Rama ka deklaruar se është faji i kryeministrit që Tirana sot është në këtë gjendje që e shohim e kthyer në një gërmadhe,pasi sipas tij kryeministri ka bllokuar fondet, ndërkohë që kjo deklaratë e rremë e tij s’është aspak e vërtetë pasi është qeveria së bashku me kryeministrin Berisha ajo çka ka marrë menjëherë masat e duhura për rregullim dhe zgjerimin e Unazës së Madhe dhe unazës së vogël.
Ndërkohë që Rama harron se në gjithë këto vite kryetar i bashkisë së Tiranës nuk ka ndërtuar asnjë parkim nëntokësor, për normalizimin e trafikut të Tiranës, nuk ka ndërtuar asnjë metër rrugë të re dhe s’i ka sjellë qytetarëve të Tiranës asgjë deri më tani. Jo vetëm kaq, por mbi rrugë ka dhënë leje ndërtimi për pallatet e “ortakëve” të tij.
Thjesht në gjithë këto vite kryebashkiaku i kryeqytetit ka ndjekur politikën e shembjes dhe prishjeve të rrugëve si dhe atë të ndërtimit të pallateve 30 katëshe ku interesi ishte 20 për qind që ai fuste në xhep të tij.
Por tashmë kësaj politike të ndjekur nga Rama i erdhi fundi dhe acarimi i qytetarëve për shkak të shndërrimit të kryeqytetit në një gërmadhe, për shkak të bllokimit të sheshit “Skënderbej”, rrethimit me tela të pothuajse të gjithë qendrës së kryeqytetit, pirgjet e mëdha të dheut dhe gropat vend e pavend të hapura në qendër të kryeqytetit të vrasin jo vetëm syrin por bëhen shkaku i një sërë shqetësimeve që përjetojnë çdo ditë e me tepër qytetarët e Tiranës.
Qytetarët e Tiranës nuk ka sesi t’i harrojnë të gjitha këto, ai që bën një sy qorr dhe një vesh shurdh është kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama i cili nuk është preokupuar ndonjëherë për problematikat që hasin qytetarët e Tiranës shkaktar i së cilës është vetë ai, por problemi i tij i vetëm ka qenë dhe vazhdon të jetë se si të vijë në pushtet duke shkelur mbi të bardhën e duke i hedhur hi syve të qytetarëve përmes mashtrimeve, akuzave dhe intrigave që mundohet të krijojë me alibitë e tij tashmë të dështuara për gjatë një viti e gjysmë.
Urojmë që Rama të vihet pak në lëvizje e të bëjë sikur shqetësohet për problematikat që hasin çdo ditë kryeqytetasit sepse në të kundërt durimit të qytetarëve të Tiranës do t’i vijë fundi dhe me këtë do të marrë fund edhe shqetësimi i tyre, por jo vetëm kjo por edhe posti që mban kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.