LSI-ja, përplasje për bashkëqeverisjen me Berishën
Pesë anëtarë të LSI-së dalin kundër bashkëpunimit me PD-në. Pëllumb Xhufi: “Apelojmë për të ndaluar bashkëpunimin me Berishën”
Eljona Ballhysa
Bashkimi me Partinë Demokratike për të qeverisur vendin gjatë katër viteve të ardhshme ka sjellë përplasje qëndrimesh brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pesë anëtarë, bashkëthemelues të LSI-së, i kanë drejtuar dje kreut të kësaj partie, Ilir Metës, një apel publik për të rishikuar mundësinë për t’i thënë jo bashkëpunimit me Berishën. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, anëtarët Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi, u shprehën dje gjatë një deklarate për shtyp se bashkëpunimi me PD-në nuk ka qenë asnjëherë në planet e tyre pesë vjet më parë kur themeluan Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata i bënë thirrje Metës që të mos e shndërrojë partinë në një parti numrash që i shërbejnë Berishës për të arritur numrin 71 të votave në Kuvend. Deklarata e pesë anëtarëve të LSI-së vjen pikërisht në një moment kur pritet që kreu i LSI-së, Ilir Meta, të takohet me kreun e PD-së, Sali Berisha, për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit në qeverinë e ardhshme, si dhe postet ministrore që do të marrë LSI-ja.
Apeli
“Apelojmë publikisht për të ndaluar aktin final të bashkëpunimit me Berishën, sikurse është detyrimi ynë parimor kundrejt të gjithë miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve tanë, por edhe opinionit publik, për të sqaruar pa asnjë ekuivok se nuk ka qenë kjo ëndrra jonë, të cilën para 5 vitesh e pagëzuam me emrin Lëvizja Socialiste”, - është shprehur Xhufi, ndërsa lexonte deklaratën me qëndrimin e përbashkët të pesë anëtarëve të tjerë të LSI-së. Ai ka theksuar se ekzistojnë të gjitha mundësitë që LSI-ja të tërhiqet nga vendimmarrja për të bashkëpunuar me PD-në. “Ne vërtet besojmë se janë të gjitha arsyet për të riparuar sa më parë vendimmarrjen e pashkak, të nxituar, e aspak të natyrshme për ta nxjerrë Lëvizjen tonë Socialiste nga misioni dhe programi i saj politik, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe për ta shndërruar thjesht në parti numrash, pjesë e llogarive qeveritare për të arritur numrin magjik 71”, - deklaroi Xhufi.
Grupi i anëtarëve të LSI-së, në deklaratën e tij, e ka konsideruar bashkëpunimin e LSI-së me PD-në si një kamerdare për kryeministrin e “falimentit”, siç e quajtën ata Sali Berishën dhe “fitoren” e tij në zgjedhje. Sipas tyre, ky bashkëpunim jo vetëm që ka zhgënjyer mijëra votues të LSI-së, por edhe do të ketë kosto elektorale të pariparueshme për këtë forcë politike. “Ne, sikurse shumë anëtarë të LSI-së, nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve, të cilët besuan te ne dhe LSI-ja të zhbëhen tërësisht, pa asnjë shkak të qenësishëm, për t’u vënë në shërbim të pushtetit arbitrar, personal të kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të puçit kushtetues të 21 prillit”, - kanë theksuar anëtarët e LSI-së. Ndërsa nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, është shprehur se koalicioni i ri Meta-Berisha do të shkatërrojë identitetit e LSI-së. “Ne, të gjithë së bashku, shpresojmë që apeli ynë të lexohet me qetësi dhe me konstruktivitet. Ne nuk mund t’i imponohemi askujt, ashtu sikur nuk kemi ndër mend të ndjekim askënd në misionin vetëshkatërrues”, - është shprehur Xhufi.
Bashkëpunimi
Vetëm disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, kryeministri Berisha i bëri një ftesë publike LSI-së dhe kreut të saj, Ilir Meta, që të bashkojë votat me PD-në dhe të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Disa minuta pas ftesës publike të Berishës ka reaguar menjëherë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit iu përgjigj pozitivisht ftesës për bashkëpunim, ndërsa hodhi akuza kundër PS-së për humbjen e së majtës në zgjedhje. Pranimi i ftesës nga Meta u prit me reagime pro dhe kundër në radhët e LSI-së. Brenda pak ditësh Kryesia e kësaj partie mblodhi Konventën Kombëtare, ku shumica e anëtarëve mbështetën bashkëpunimin me PD-në. Në ditët kur pritet të përcaktohen postet qeveritare që do të drejtojë LSI-ja reaguan pikërisht pesë anëtarë, bashkëthemelues të kësaj partie. Vetëm dy ditë më parë, kreu i LSI-së, Meta, deklaroi publikisht se është në pritje të ftesës së Berishës për t’u ulur në tryezën e negociatave për krijimin e qeverisë së re. Meta vuri në dukje se për LSI-në është i rëndësishëm zbatimi i një programi politik që synon daljen nga kriza ekonomike dhe zbatimin e politikave sociale për qytetarët shqiptarë që synojnë rritjen e standardeve të jetesës dhe integrimin e vendit në BE, që është synimi kryesor i këtij bashkëpunimi.
Pëllumb Xhufi
“Është detyrimi ynë parimor për të sqaruar pa asnjë ekuivok se nuk ka qenë kjo dëshira jonë e para pesë viteve, kur edhe pagëzuam lëvizjen tonë, si Lëvizja Socialiste për Integrim”.
Ilir Meta
“Jemi në pritje të ftesës së kryeministrit Berisha. Mendoj se programi është elementi kryesor dhe mendojmë se ai është busulla e orientimit të koalicionit me PD-në dhe qeverisë së re”.
24 Gusht 2009