E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Deklarata e pesë anëtarëve është diversion që vjen nga PS-ja



Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së djeshme të pesë anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie për të rikonsideruar marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike. Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli, duke iu përgjigjur kërkesës së mësipërme të pesë anëtarëve të LSI-së, tha se në Konventën Kombëtare të LSI-së ka qenë vetë Pëllumb Xhufi, që ka bërë propozimin për mbështetjen e koalicionit të PD-së, por me kusht që LSI-ja të jepte votat e saj dhe të mos merrte pjesë në qeverisje. “Është për të ardhur keq që njoftimi për deklaratën e Xhufit ka ardhur nga zyrat e Partisë Socialiste dhe jo nga zyrat e LSI-së, siç ka ndodhur gjithnjë. Qëndrimi më i fundit që mbajnë deklaruesit ose përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga Kongresi i PS-së dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës manipulative dhe korruptive të tij ndaj LSI-së”, - është shprehur përfaqësuesi i LSI-së. Sipas Yllit, forumet më të larta të LSI-së, si Kryesia dhe Konventa Kombëtare, kanë marrë vendime unanime, transparente, në mbështetje të plotë të qëndrimit të saj për aleancën qeverisëse të integrimit, ndërsa deklaruesit nuk kanë marrë pjesë në këto forume. “LSI-ja ka prioritet madhor atdheun dhe ne do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik, dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta personale dhe meskine që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij”, - është shprehur Dritan Ylli gjatë deklaratës së tij në kundërpërgjigje të qëndrimit të pesë anëtarëve të kësaj partie.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›