Fini: “Do të ratifikojmë së shpejti MSA-në, Berluskoni do të vizitojë Shqipërinë”
Italia pritet të ratifikojë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Lajmin e bëri të ditur dje kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare dje në Shqipëri, me ftesë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Fini zhvilloi një takim dhe me kryeministrin Sali Berisha, të cilin e njoftoi se së shpejti kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, do të vizitojë Shqipërinë. Gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e shtetit shqiptar Fini vuri theksin në marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe në mbështetjen që Italia do të japë në mbështete të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe integrimit në BE. “Interesi i Italisë për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë njeh unanimitetin e forcave politike italiane. Kjo duket nga ratifikimi i shpejtë që Parlamenti i bëri MSA-së dhe nga ratifikimi shumë i shpejtë që do të bëhet për anëtarësimin në NATO”, - tha Fini. Ai shprehu vlerësime për ndryshimet mjaft pozitive të administratës shqiptare, të cilat po i ndiejnë përditë investitorët italianë në Shqipëri. Përsa i përket bashkëpunimit në sektorin energjetik, presidenti Fini u shpreh se Italia sheh me interes të gjitha llojet e energjisë që do të prodhohet në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli, nga ana e saj ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë kundrejt Shqipërisë. Ndërsa kryeministri Berisha ka rikujtuar edhe njëherë projektin e përbashkët të dy vendeve për ndërtimin e një centrali nuklear për prodhimin e energjisë elektrike.
Fini është pritur dje dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Xhanfranko Fini, gjatë ditës së djeshme, i është drejtuar me një fjalim Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së mbajtur Fini vuri theksin në lidhjet historike që bashkojnë dy vendet, duke filluar që nga arbëreshët e Italisë, deri te ndihma e vazhdueshme që ky shtet ka dhënë për Shqipërinë. Më tej, Fini, duke bërë një ekspoze të situatës politike në Ballkan, ka kërkuar që vendet e këtij rajoni të mbajnë hapur dialogët e vazhdueshëm në mënyrë që të afrohen sa më shumë me Perëndimin. Fini u shpreh para ligjvënësve se ka mbetur i mahnitur nga kërkesa ngulmuese për integrim në BE e politikës shqiptare. Sipas tij, kjo është kërkesë e qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht e të rinjve. Për këtë arsye ai kërkoi nga politika që të mos i zhgënjejë të rinjtë shqiptarë për realizimin e ëndrrës së tyre për të qenë pjesë e BE-së. Ai gjithashtu kërkoi vazhdimin e mëtejshëm të reformave në mënyrë që të arrihet integrimi në BE.
16 Shtator 2008