E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati, peng në Rrogozhinë

 

ADI SHKEMBI

Rezultati përfundimtar në qarkun e Tiranës do të dalë vetëm gjatë ditës së sotme, kur të ketë përfunduar edhe numërimi i 45 kutive në pesë njësi vendore. Nga 826 kuti në të gjithë qarkun e Tiranës, deri pas mesnate u numëruan më shumë se 770. Por zona e cila duket se do të mbajë peng qarkun e Tiranës është pikërisht zona e Rrogozhinës, në të cilën janë bllokuar 6 kuti. Partia Demokratike ka akuzuar gjatë pasdites së djeshme disa herë publikisht PS-në, se është duke mbajtur peng procesin e numërimit në këtë zonë, teksa i ka bërë thirrje asaj që të zhbllokojë procesin. Nga ana tjetër PS-ja pretendon se është pikërisht forca më e madhe e koalicionit të djathtë që po e mban atë peng. Por përveç kësaj njësie, në komunën e Baldushkut janë ende 14 kuti pa u numëruar. Kjo komunë njihet si bastion i Partisë Demokratike dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007 kjo forcë fitoi me më shumë se 500 vota ndaj koalicionit të majtë. Në të njëjtën kohë një tjetër zonë e panumëruar ende dhe që pretendohet nga Partia Demokratike është komuna e Paskuqanit, në të cilën kanë mbetur edhe pesë kuti. Në zgjedhjet e vitit 2005 në këtë zonë fitoi mandatin Leonard Demi i Partisë Demokratike, ndërsa në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë kandidati i PD-së fitoi me rreth 500 vota më shumë. Nga kutitë e panumëruara ende dy prej këtyre zonave kanë nxjerrë fituese PS-në në zgjedhjet e fundit lokale. Kështu në njësinë 7 në kryeqytet, që përfshin zonën e “21 Dhjetorit”, janë ende 10 kuti pa u numëruar. Në zgjedhjet e 18 shkurtit në këtë njësi fitoi kandidati i Partisë Socialiste ndaj atij të PD-së. Gjithashtu një tjetër zonë ku pritet të ketë fitore të PS-së është komuna e Zall Herrit, në të cilën janë edhe 10 kuti për t’u numëruar. Në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë kandidati i PS-së fitoi me rreth 900 vota ndaj rivalit të tij të PD-së. Por, për të ndryshuar numri i mandateve në Tiranë, duhet që në të gjitha zonat e mbetura, PS-ja të marrë të paktën 2500 vota më shumë se PD-ja.

Kutitë e panumëruara

• 10 kuti në njësinë 7

• 5 kuti në Paskuqan

• 14 kuti në Baldushk

• 10 kuti në Zall-Herr

• 6 kuti në Rrogozhinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›