LSI: Çmimet e larta po përkeqësojnë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, qeveria asnjë masë kundër krizë globale
Lëvizja Socialiste për Intrgrim ka deklaruar dje se ndërsa situata ekonomike në vend po vjen duke u përkeqësuar, qeveria aktuale është tërësisht indiferente për ndërmarrjen e ndonjë mase për atë që cilësohet si “kolaps ekonomik në vend”.
Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra tha se ndërsa Maqedonia, duke vlerësuar situatën ka hartuar një paketë antikrizë duke vënë në dispozicion 320 milionë dollarë, qeveria shqiptare vazhdon të përsërisë se “Shqipëria nuk ka asnjë rrezik si dhe t'i ngopë shqiptarët me lugë të zbrazët dhe me rritje ekonomike imagjinare”. Sipas Kodrës, gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve shqiptarë duket qartë në rritjen e pandalshme të çmimeve. “Ndërsa çmimi i karburanteve në botë është ulur tre herë, në Shqipëri është ulur vetëm 20%, duke abuzuar hapur me konsumatorët. Gjendja e rënduar ekonomike duket qartë edhe në rritjen e pakontrolluar të cmimeve të produkteve më të domosdoshme të përditëshme e më jetësorë për qytetarët, që ndikon direkt në uljen e nivelit të jetesës së tyre e sidomos të shtresave më të varfërve, që janë plotësisht të pambrojtura nga kjo rritje e çmimeve.Qeveria që erdhi në pushtet me premtimin e duarve të pastra, insiston në subvencionimin e KESH, megjithë paralajmërimet e FMN për ndërprerjen e menjëherëshme të këtyre praktikave. Me këtë politikë, kjo qeveri që nuk do të luftojë korrupsionin, u merr dyfish çmimin e energjisë shqiptarëve të ndershëm që respektojnë ligjin dhe paguajnë taksa; njëherë me faturat e KESH dhe herën e dytë me shpërdorimin e fondeve publike për të subvencionuar një ndërmarrje të falimentuar”- deklaroi nënkryetarja e LSI-së. Disa ditë më parë, këshilltari ekonomik i kryeministrit Berish,a Petraq Milo, gjatë një komunikimi me mediat hodhi poshtë akuzat e përsëritura
të opozitës se buxheti i vitit 2009 që u miratua një javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk përmban asnjë masë kundër efekteve të mundshme të krizës globale financiare. Sipas Milos, ndonëse kriza globale ende s’ka dhënë efektin e saj direkt në ekonominë shqiptare, qeveria ka një plan të sajin për të zbutur efektet e kësaj krize të mundshme. Milo theksoi me këtë rast se buxheti i 2009-ës është një politikë tërësisht preventive kundër kësaj krize. Sipas tij 3 janë masat preventive që do të ndërmerren në këtë drejtim Së pari janë politikat fiskale për financimin e investimeve publike, e cila përkthehet me financimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera në përgjithësi, e cila është domosdoshmërish një bazë e fuqishme për rritjen ekonomike; politika e uljes së deficitit nga 3 % e deficitit të brendshëm në vitet e mëparshme në 1 % në vitin 2009 si dhe një politikë monetare e gërshetuar me politikën fiskale, prodhimi i së cilës është kontrolli i inflacionit. Masa e dytë ka të bëjë me kontrolli dhe forcimi i kontrollit të sektorit bankar ndërmjet masave për të rritur më shumë transparencën dhe kryesisht për të rritur dhe kontrolluar kreditë, pasi një nga shkaqet e krizës ka qenë dhënia e kredisë personave që nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë pronë. Dhe së së treti, një nga drejtimet kryesore të daljes ose të preventivit të krizës është rritja ekonomike. “Shqipëria aktualisht në 6-mujorin e parë ka një rritje ekonomike prej 12 % dhe përsëri vazhdon të planifikojë për vitin 2009 një rritje pozitive dhe të qëndrueshme ekonomike, në një kohë që vendet e rajonit kanë një rritje më të ulët ekonomike, ose vende të tjera mund të kenë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike”- theksoi Milo.
...