E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Padia ndaj Avokatit të Popullit e Policisë së Shtetit, sulm ndaj rendit kushtetues në Shqipëri

Partia Socialiste ka marrë sërish dje në mbrojtje Avokatin e Popullit në padinë që Policia e Shkodrës ka depozituar në adresë të këtij institucioni me akzuën e dekonspirimit të një dosjeje hetimore kishte të bënte me një vrasje për gjakmarrje ne vitin 1997. Deputeti Arben Isaraj duke marrë shkas nga ngjarja sporadike e Sarandës, kur një punonjës policie kishte ushtruar dhunë ndaj të një të ndaluari, pretendoi dje se dhuna është një fenomen i gjithëpërhapur në strukturat e policisë dhe për me tepër si një metodë pune për të nxjerrë informatat e nevojshme për hetimin e ngjarjeve të ndryshme. “Qeveri-policia e Berishës, nuk mund të torturojë apo trajtojë mizorisht dhe në mënyrë ç’njerëzore dhe poshtëruese çfarëdolloj personi, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. Ky është krim kushtetues (neni 25 i Kushtetutës). Nuk mund të kufizojë lirinë e personit kur nuk ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. Ta realizosh këtë pa lejen edhe të organit përkatës kushtetues, përbën dy herë krim (germa c, neni 27 Kushtetutës). Dhe nuk mund të detyrojë me çfarëdo dhune qoftë, asnjë person, të dëshmojë kundër vetes ose familjes dhe as të pohojë fajësinë e tij, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. Ky është krim kushtetues (neni 32 i Kushtetutës)”- deklaroi Isaraj. Sipas tij në këto kushte të “sulmosh dhe kërcënosh, institucionin e pavarur kushtetues të Avokatit të Popullit, në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore, nuk bën as më shumë e as më pak veçse ke sulmuar rendin kushtetues, duke i ofruar këtij vendi dhunë, tirani dhe diktaturë”. “Partia Socialiste, mbetet e bindur se bota e qytetëruar e krijoi policinë për të mbrojtur qytetarët dhe interesat e tyre nga krimi, por njëkohësisht ajo krijoi mekanizmat që të mbronte edhe qytetarët së bashku me interesat e tyre nga veprimet e policisë. Me Kushtetutë, një ndër këta mekanizma kushtetues është institucioni i Avokati i Popullit. Në një vend demokratik dhe aspirant për NATO e BE, ruajtja e rendit dhe sigurisë nuk kërkon që policia të çlirohet nga kufizimet kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të individit, me pretendimin se po lufton kriminalitetin. Në konfliktin e sotëm me institucionin kushtetues të Avokatit të Popullit, policia i kundërvihet rendit kushtetues, me arsyetimin se ai po pengon zbatimin e drejtësisë” deklaroi deputeti i PS-së, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të organizmave ndërkombëtare....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›