E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI në Konferencën e Ballkanit të Partisë së Socialistëve Evropiane në Budva

TIRANË - U mbyll sot në Budva, Konferenca e Ballkanit, organizuar nga Partia e Socialisteve Evropiane, nën moton "Qeveritë dhe partitë progresiste në Ballkanin Perëndimor - Premtim për shoqëri me të drejta dhe integrim evropian".

Konferenca u hap te hënën në Shkodër, ku u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit parazgjedhor mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në ditën e dytë të Konferencës, LSI u përfaqësua nga Sekretari Ndërkombëtar, Ralf Gjoni, i cili u shpreh se "në këndvështrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk mund të ketë integrim evropian për vendet e Ballkanit pa integrim rajonal".

Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se "integrimi rajonal është shumë i prekshëm dhe rajoni duhet të marrë shembull nga marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dy vende që i kanë eliminuar barrierat mes tyre dhe që kanë hapur rrugën e bashkëpunimit prej vitesh".

Gjithashtu Gjoni, në emër të LSI-së, shprehu mbështetjen për marrëveshjen e nënshkruar së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë, si një gur të rëndësishëm në forcimin e urave të bashkëpunimit jo vetëm mes dy vendeve, por për të gjithë rajonin.

Ralf Gjoni theksoi se "procesi i integrimit evropian duhet të shkojë përtej retorikave dhe kërkesave teknike, për t'u përqëndruar në projekte konkrete mbështetjeje nga BE dhe institucionet financiare ndërkombëtare, që do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fusha si infrastruktura, turizmi dhe energjia. Për këtë arsye nevojitet një vizion i përbashkët për të shembur barrierat dhe për të lidhur rrugët e bashkëpunimit mes vendeve tona në rajon, duke e parë rajonin si një treg të përbashkët e të ndërlidhur, i cili do t'i shërbejë mirëqenies të të gjithë qytetareve te Ballkanit".

Përmes deklaratës së përbashkët, Konferenca e PES mirëpriti "marrëveshjen e bashkëpunimit që u nënshkrua në ditën e parë të punimeve në Shkodër, nga Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste, dhe Ilir Meta, Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të së majtës dhe drejt fitores në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›