Rama: Berisha urdhëroi shtypjen e simpatizantëve tanë
Edi Rama i ripërsëriti dje nga Elbasani, Kryeministrit Sali Berisha, mesazhin se nuk do të mund të marrë pushtet me vjedhje dhe dhunë. Kreu i Partisë Socialiste mori pjesë në mitingun e çeljes së fushatës elektorale, duke prezantuar edhe kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në Bashkinë e Elbasanit, Qazim Sejdini. Gjatë fjalës së tij përpara simpatizantëve dhe mbështetësve, Rama komentoi konfliktin e konstatuar dje midis shefit të forcave speciale dhe zëvendësministrit të brendshëm. “E dëgjuam të gjithë sot drejtorin e Forcave Speciale, që e urdhëron Saliun që të nxjerrë forcat speciale për të shtypur simpatizantët e Partisë Socialiste në Kamëz. Unë e përshëndes atë për këtë mesazh që i dha Saliut. I drejtohem një sërë drejtuesish të policisë, që përditë e më shumë po japin shenjën se kanë hyrë në rrugë të gabuar. Kthehuni nga ajo rrugë, e vetmja rrugë për ju është ajo e zbatimit të ligjit. Beteja elektorale nuk është beteja e policisë, por e qytetarisë”, deklaroi Rama. Duke i mëshuar kësaj çështjeje, kreu i opozitës i kërkoi prokurorisë që të reagojë për atë çka ai e cilësoi një skandal. “Saliu ta harrojë se në këto zgjedhje do marrë me dhunë ose me para të pista pushtetin. Më 8 maj të çlirojmë plagën e policisë, drejtësisë dhe ekonomisë. Të marrim hak për ata që u vranë më 21 janar, të marrim hak për ata që u vranë në Gërdec dhe për të gjithë ata që u vritet ëndrra dhe janë pa përkrahje dhe vuajnë nga padrejtësia”, këmbënguli Rama. Më tutje, lideri i opozitës u ndal te kandidati Qazim Sejdini dhe arsyet se pse duhet votuar koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Rama insistoi se e vetmja rrugë për shqiptarët është alternativa e opozitës, ndërsa akuzoi mazhorancën, duke e etiketuar si “regjim të kusarisë”. “Rruga jonë bëhet çdo ditë gati për të zgjeruar korsinë e saj. Ata i bashkon kusaria që futi në shtrat Saliun me Durimin, ne na bashkon kjo rrugë, që ka sjellë këtu qytetarët dhe Qazimin”, u shpreh kreu socialist. Ne jemi e vetmja rrugë, tha ai, ku asnjë shqiptar që është në rregull me ligjin të mos i trembet qeverisë, për shkak të zgjedhjeve të tij, që asnjë mjek e mësues të mos shkarkohet për shkak të bindjeve të tij. “Ne jemi rruga që asnjë institucion të mos i mbyllë derën në fytyrë çdo qytetari, që ka të drejtë të kërkojë shërbimet që i takojnë. Rruga jonë është e vetmja, që asnjë polic të mos vihet nën urdhra të paligjshëm për bukën e gojës të familjes së tij”, nënvizoi Rama. Kryesocialisti nuk harroi të paralajmërojë mazhorancën për pasojat, nëse do të vendosë të ndërhyjë në votën e qytetarëve. Rama nënvizoi faktin se vota është çlirimi i shqiptarëve nga pushteti aktual, i cili ka vrarë për të vjedhur, sipas tij, dhe se nuk do të guxojnë më, pasi përgjigjja kësaj radhe do ketë revoltë qytetare, siç largohen regjimet. “Saliu me Ilirin dhe tërë shërbëtorët duhet ta mësojnë sot nga Elbasani se çfarë rrezikojnë nëse prekin votën e 8 majit. Nuk do ketë më lëvizje qytetare, por revoltë qytetare të pandalshme, duke i kërkuar qytetarëve ta largojë qeverinë siç largohen regjimet”, kërcënoi Rama. Një paralajmërim të tillë, kreu i socialistëve e bëri edhe në ditën e hapjes së fushatës elektorale në kryeqytet. D.M.