Darka e fundit Mediu-Madani

TIRANË - Kafenë dhe darkën e fundit jashtë hekurave të një qelie i ka shijuar nën shoqërinë e mikut të tij, ish-ministrit të Mbrojtjes. Ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, 44-vjeçari Shkëlzen Madani, ka qenë në shoqërinë e ish-kreut të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, në një lokal në qendër të Tiranës, vetëm disa minuta para arrestimit për “korrupsion pasiv”. Lajmi bëhet i ditur nga burime të rezervuara të gazetës “Korrieri”. Sipas këtyre burimeve, mësohet se mes dy ish-funksionarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes ekziston një lidhje e ngushtë pune dhe miqësie, madje edhe ditën që janë realizuar arrestimet e fundit të funksionarëve të ministrisë, Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Madani, rezulton të kenë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ndërkohë që vetëm 24 orë përpara prangosjes së Madanit, ata kanë darkuar përsëri së bashku, në një restorant prestigjioz të kryeqytetit. Të tjera burime të rezervuara bëjnë të ditur se në të dy momentet e tyre të fundit, gjatë drekës dhe kafesë së fundit, 44-vjeçari ka pasur me vete një dosje plot me dokumente, të cilat mendohet të jenë marrë nën administrim nga grupi hetimor. Ndërsa sipas burimeve të besueshme nga Ministria e Mbrojtjes, bëhet e ditur mes tyre ka pasur gjithmonë marrëdhënie të ngushta pune. Në rolin e drejtorit të Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve, nga burimet thuhet se ky i fundit gëzonte të gjithë atributet që të vinte firmën e fundit dhe të jepte vendimin përfundimtar direkt pas shefit dhe mikut të tij, Mediut. Pjesë e dokumenteve që gjendeshin në dosje mësohet të jenë disa kontrata në lidhje me dhënien e licencave për lëndët plasëse, licenca të cilat çuan pas hekurash vetëm tri ditë më parë Madanin.
Duke qenë se prej muajsh ai ishte vënë nën hetim, takimet e shpeshta me ish-ministrin Mediu nuk kanë ngelur jashtë vëmendjes së grupit hetimor. Një ditë para vënies në pranga, ai është parë teksa darkonte për disa orë me radhë me Mediun, ndërsa të nesërmen, ditën e arrestimit, ata të dy kanë pirë kafen e fundmit së bashku, në një lokal të njohur pranë qendrës. Vetëm pak minuta pasi Madani është ndarë prej ish-shefit të tij, Antikrimi Ekonomik i Tiranës, në bashkëpunim me Task Force që bashkëpunoi për hetimet, çuan në prangosjen e Shkëlzen Madanit, nën akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.