LSI, paketë antikrizë, në buxhetin e ri qeverisës

Do të kontribuojmë me PD-në, për të shmangur efektet e krizës në vend
Në kuadër të përgatitjeve për të marrë pjesë në qeverinë e re “Berisha 2”, Lëvizja Socialiste për Integrim, bën propozimet e para, për hartimin e draft buxhetit qeverisës, për vitin 2010.
Nënkryetari i kësaj force politike, Dritan Prifti, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, LSI do të përfshijë në buxhetin e ri një fond të veçantë garancie për sistemin bankar, në mënyrë që të rritet kreditimi në sektorin bujqësor dhe në atë energjetik.
“LSI-ja po punon për të përmirësuar programin e saj antikrizë, që në momentin që të mblidhet Parlamenti dhe do të krijohet qeveria e re, ne të kemi mundësi që të kontribuojmë në këtë qeverisje për t’u shkëputur përfundimisht nga kriza dhe nga efektet e krizës në vend. Ne do të kemi dhe propozime konkrete për buxhetin e vitit të ri qeverisës 2010, pavarësisht se ai tashmë ka filluar të përpunohet në Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera, por me krijimin e Qeverisë së re ne do fillojmë të kontribuojmë për të futur në këtë buxhet disa elementë të nevojshëm që ka LSI-ja në programin e saj”, u shpreh Prifti.
Duke iu referuar raportit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me përmirësimin e kreditimit të ekonomisë në vend, nënkryetari i LSI, Dritan Prifti, deklaroi se ka nota optimiste për sektorin ekonomik.
“Ai ka folur për një rritje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë, për të njëjtën periudhë të vitit 2008, të paktën për kreditimin për biznesin”, tha Prifti.
Sipas tij, kjo është diçka që duhet vlerësuar dhe inkurajuar për bankat për të vazhduar kreditimin e biznesit dhe të individëve nëse do të ishte e mundur, që të ketë mundësi që ekonomia shqiptare të dalë nga kriza, e cila është ndikuar dhe nga kriza ekonomike botërore.
LSI gjykon se sektori bujqësor dhe ai energjetik, janë dy shtyllat kryesore, ku rritja e kredisë mund të ketë ndikim të menjëhershëm për zbutjen e krizës dhe tejkalimin e kësaj krize.
“Ne në fillimin e qeverisjes së re do fillojmë të kontribuojmë seriozisht si një forcë e majtë dhe socialiste në një qeveri të përbashkët me të djathtën për të futur elementë të mbrojtjes shoqërore, për të futur elementë të nxitjes së investimeve, të nxitjes së kreditimeve në mënyrë që ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që është e prekur nga kriza të ketë mundësi të ketë dorën e shtetit për të kaluar këtë situatë”, deklaroi më tej nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.
...