Partia Demokratike: Apologjia e humbjes së Edvinit nuk mund të cenojë standardin e zgjedhjeve

Partia Demokratike i bën thirrje kryesocialistit pa mandat Edi Rama, që të heqë dorë nga sulmet ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit, që hynë në histori si zgjedhjet më të lira dhe demokratike të zhvilluara ndonjëherë. Duke mos i kapërdirë dot përgjegjësitë që mbart nga ky dështim në zgjedhjet parlamentare, Edi Rama vazhdon të akuzojë për parregullsi të zgjedhjeve, ndërkohë që edhe kur kërkoi “gjilpërën në kashtë”, kasetat filmike të Beratit, u turpërua rëndë dhe nuk kërkoi më në KQZ, të tjera materiale filmike. Selia blu, nëpërmjet zëdhënëses, u shpreh se apologjia e humbjes së zgjedhjeve, shprehje e dëshpërimit të Ramës, nuk mund të cenojë aspak standardet mbi të cilat u zhvilluan ato.
“Në apologjinë e tij të humbjes, Edi Rama deklaroi se numërimi i votave nuk ishte transparent ndërkohë që pa përjashtim të gjithë komisionerët e tij në Berat Tiranë e Shkodër kanë firmosur çdo procesverbal e çdo tabelë rezultatesh pa asnjë vërejtje. Ky numërim për herë të parë u bë me skanim dhe filmim të plotë të fletëve të votimit, pra me transparencën më të lartë në historinë e vendit, dhe Rama pasi pa një nga një numërimin e votave të të gjithë qarkut të Beratit, kuptoi se ai me ligësi e pabesi po akuzonte komisionerët e Partisë Socialiste se kishin numëruar me korrektesën më të madhe”, tha zëdhnësja e Partisë Demokratike, duke shtuar se “Edi Rama mobilizoi burime të mëdha presioni mbi Kolegjin Zgjedhor me të cilat dështoi sepse nuk ishte i zoti të paraqiste as provën më të vogël për parregullsi në numërimin e votave”.
Ajo shtoi gjithashtu se “për sa i përket largimit dhe moslargimit të tij nga kreu i PS këto nuk janë probleme të Partisë Demokratike, por theksojmë se krahasimi i pozitës së tij me atë të Kryeministrit fitimtar është shumë i pafat”.
“Kërcënimet e tij janë aq të padenja saç janë edhe përpjekjet e tij si humbës për të damkosur zgjedhjet vetëm e vetëm për të maskuar disfatën e tij”, u shpreh më tej zëdhënësja e PD-së.
...