E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të shfrytëzojmë çdo burim ujor, për ta shndërruar atë në burim energjie

Qeveria  do të nxisë me stimuj konkretë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla

Kryeministri Berisha ritheksoi  sot, në mbledhjen e këshillit të Ministrave çështjen e hidrocentraleve të vogla. Kryeministri tha se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i pasur me burime ujore dhe për këtë arsye nuk duhet injoruar as burimi më i vogël, për të ndërtuar një burim energjie. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qeveria duhet të nxisë me stimuj konkretë, ndërtimin  e një numri sa më të madh hidrocentralesh të vogla.  “Në këtë vend malor, që rrafshine ka të pakët  dhe ujërat të bollshme , ne si qeveri duhet të nxisim me stimuj konkret ndërtimin mundësisht të mijëra hidrocentrale të vogla, se të mesmet dhe të mëdhatë ndërtohen, këto të voglat janë më të mundshme.”

Kryeministri tha se duhet të shqyrtohen të gjitha sistemet e vaditjes ekzistuese dhe ato që do të ngrihen, në mënyrë që të funksionojnë me dy qëllime.

“Tre javë më parë një sipërmarrës paraqiti në KRRTRSH  projektin e tij për HEC-et Lura 1, Lura 2, Lura 3, që të trija këto ndërtoheshin mbi sistemin ekzistues të  vaditjes. Funksionon për 9 muaj, nuk funksionon për tre muaj, por sipërmarrësi bënte dhe një sistemim të plotë të kanaleve për të siguruar burimin e ujit dhe eficencën e tij.  Të gjitha burimet ku janë duhet të konsiderohen për HEC të vogla, natyrisht në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë jo aty ku ndërtohet një Hidrocentral i  madh apo i mesëm, sepse nuk është e arsyeshme që të bllokohet ndërtimi i një HEC të madh ose të mesëm nga një HEC i vogël.”

Duke kërkuar stimuj të tjerë, në ndihmë të ndërtuesve të hidrocentraleve të vogla, kryeministri tha se shteti duhet të garantojë lidhjen e HEC-it me rrjetin lokal dhe kombëtar të ujërave. “Një nga shpenzimet e ndjeshme për një HEC të vogël është lidhja e tij me rrjetin lokal dhe kombëtar. Këtë duhet ta marrim ne përsipër. Duhet që shteti tu garantojë lidhjet. Duhet parë dhe kostoja e prodhimit me koston e lidhjes, por në tërësi parimi duhet të jetë që shteti do ti lidhë ata me rrymën e zonës apo të vendit.”

Ndër të tjera, kryeministri kërkoi që të shihet me përparësi sistemi i kreditimit ndaj  këtyre ndërtuesve, duke i konsideruar ata sipërmarrës të vegjël. "Nëpërmjet nxitjes dhe zbutjes së interesave, ndaj tyre do të mbahet i njëjti qëndrim, që mbahet kudo në botë, për sipërmarrjet e vogla", u shpreh Kryeministri. “Ministria të studiojë dhe stimuj të tjerë. Kjo nuk është një praktikë e re shqiptare, kjo është praktikë e shume vendeve, por numri i tyre në Shqipëri mund të jetë ndër më të mëdhenjtë, sepse i tillë është terreni dhe sasia ujërave.”

Kryeministri siguroi se edhe ujësjellësat do të ndërtohen, duke studiuar mundësitë që burimet të shfrytëzohen për dy qëllime.

“Mos të harrojmë se ujësjellësi i Tiranës ka një HEC në Lanabregas. Do të ndërtohet ujësjellës në të gjitha rastet kur është e mundur. Duhet të studiohet mundësia e ndërtimit të HEC dhe të ketë dy qëllime. Edhe hidrocentrali edhe ujësjellësi, duke mos injoruar as burimin më të vogël, aty ku është e mundur ta shndërrojmë në burim energjie."

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›