Trafiku, Krimet e Rënda "lirojnë" Arjan Kanen
TIRANE - Pas rrëzimit të akuzës për trafik gjatë rigjykimit tek Krimet e Rënda, duket se fati i ka "buzëqeshur" Arjan Kanes dhe Fatmir Tahirajt. Të dënuar në gjykimin e parë me 20 dhe 18 vjet burg, dje një vendim i togave të zeza të Krimeve të Rënda ka dënuar me 2 vjet burg Kanen dhe ka shpallur pafajësi për Tahirajn. Ndërsa bëhet e ditur se lirimi është çështje orësh edhe për të dënuarin Kane, pasi periudha prej 2 vjetësh është konsumuar gjatë qëndrimit të tij në paraburgim. Në vendim të pandehurit u dënuan vetëm për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve". Vendimi, për akuzat që iu "larguan" kompetencës së Gjykatës për Krimet e Rënda, u shpall ditën e djeshme. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, pasi shqyrtoi provat e paraqitura gjatë gjykimit dhe konkluzionet përfundimtarëve të pro-kurorisë dhe akuzës, vendosi dënimin e njërit prej tyre dhe pafajësinë e të pandehurit tjetër. Kane dhe Tahiraj akuzoheshin nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzat e "trafikim të femrave për prostitucion", "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "falsifikim i letërnjoftimeve e vizave". Vetëm një seancë më parë, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, organi i akuzës kërkoi shuarjen e akuzave për trafik ndaj dy të pandehurve dhe dënimin e tyre vetëm për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve". Në pretencë organi i akuzës kërkonte dënimin e të pandehurit Kane me 3 vjet burg dhe dënimin e të pandehurit Tahiraj me 800 mijë lekë gjobë. Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë, provat e zotëruara nuk vërtetonin fajësinë e të pandehurve për akuzën e "trafikut" dhe për rrjedhojë u kërkua pafajësia e tyre për këtë akuzë.
Një vendim i Gjykatës së Lartë ktheu për rigjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda dosjen në ngarkim të Arjan Kanes dhe Fatmir Tahirajt. Në gjykimin e parë në vitin 2007 në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve të Rënda ata ishin dënuar me 20 dhe 18 vjet burg. Në këtë gjykim ata u akuzuan për trafikimin e tre femrave gjatë periudhës 1999-2001 drejt Italisë, për qëllime shfrytëzimi prostitucioni. Nga organi i akuzës pretendohej se Kane ishte fejuar me to dhe më pas, pasi i kishte trafikuar në shtetin fqinj, i kishte shfrytëzuar si prostituta. Ndërsa për të pandehurin Tahiraj pretendohej se falsifikonte dokumentet me të cilat vajzat kalonin kufirin, si edhe pastronte paratë e përfituara nga shfrytëzimi i tyre. ar.ba