LSI, peticion pro grevës, firmos Agolli e Moisiu
Kryeparlamentari i Kosovës, letër krerëve të shtetit: Gjeni zgjidhje për grevën se po zhvendos vëmendjen nga Kosova
Lëvizja Socialiste për Integrim po shfrytëzon të gjitha rrugët për të dalë në mbështetje të grevës së urisë në të cilën kanë hyrë deputetët e saj dhe deputetë të PDK-së. Ndërkohë, në mbështetje të grevës ka ardhur dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili e ka parë këtë çështje si zhvendosje të vëmendjes nga problemi i Kosovës. Me nismën e kësaj partie disa intelektualë përfaqësues nga fusha të ndryshme kanë firmosur dje një peticion drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, kreut të PS-së, Edi Rama, dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, ku u kërkojnë që të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës. Ky peticion, siç bëjnë të ditur burime zyrtare në LSI, vazhdon të firmoset nga njerëz të tjerë, ndërkohë që në emrat e parë figurojnë shkrimtari dhe socialisti Dritëro Agolli dhe ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Siç bëjnë të ditur burimet, në listë ka emra nga bota akademike siç është ish-rektori i Tiranës, Shezai Rrokaj, dhe njerëz të medias që kanë dalë hapur në mbrojtje të kërkesave të LSI-së si Andrea Stefani, Artur Zheji e të tjerë. Dritëro Agolli nuk ka ngurruar të dalë dhe publikisht në mbështetje të Ilir Metës, duke kërkuar nga PS-ja që të marrë në konsideratë kërkesat e tyre. Madje, Agolli, i cili shihet si një busull referimi në krizat brenda së majtës, i ka cilësuar revolucionarë deputetët e LSI-së. Ndërkohë, peticioni nuk është e vetmja mbështetje që partia po i jep nga jashtë deputetëve që gjenden të ngujuar në Kuvend në grevë urie, pasi protestat e simpatizantëve të dy partive vazhdojnë në mënyrë gati të pandërprerë para selisë së Kuvendit ku po zhvillohet greva. Protestat kanë gjashtë ditë që vazhdojnë, edhe pse policia i cilësoi të paligjshme dhe për këtë paditi dhe zyrtarin e LSI-së, Petrit Vasili.
Letra e Krasniqit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar një veprim të pazakontë nga ana protokollare, në mënyrë zyrtare i ka kërkuar Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Topalli, që të ushtrojnë influencë për zgjidhjen e çështjes së grevës së urisë së 10 deputetëve. Madje Krasniqi e quan këtë si një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, duke e zhvendosur nga problemet që ka Kosova si shtet i ri. «Kosova është duke kaluar çastet vendimtare në proçesin e ndërtimit të shtetit të ri dhe ballafaqohet me një sërë vështirësish të imponuara nga qarqet antishqiptare në botë. Greva e urisë e 10 deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë dhe sidomos degradimi i gjendjes së tyre shëndetësore zhvendos vëmendjen e opinionit shqiptar dhe më gjerë në probleme brendashqiptare. Duke përcjellë me shqetësim të madh grevën e urisë ju lus, miq të nderuar, që të ushtroni influencën tuaj për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës së urisë dhe së bashku të kontribuojmë në avancimin e njohjes së shtetit të Kosovës», - shkruan ai në letrën e tij të djeshme.