E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet 25-vjeçari; Qëllohet me pesë plumba në makinë

Një 25-vjeçar ka humbur jetën, pasi është qëlluar 5 herë me pistoletë në Durrës. Ndërkohë policia ka vënë në pranga edhe tre personat, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Uniformat blu kanë vënë në pranga Orgest Dervishin dhe Xhulio Mançen, nga 24 vjeç. Gjithashtu në pasditen e djeshme u vetëdorëzua në komisariatin e Laçit edhe Elis Pepaj, i cili ka asistuar në vrasjen e 25-vjeçarit. Kjo ka ardhur pas negociatave që policia e Laçit dhe ajo e Lezhës bënë me 21-vjeçarin.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në qytetin bregdetar, pas një sherri midis viktimës dhe tre personave të tjerë. Sipas burimeve të policisë, Sajmir Balla ishte duke lëvizur me makinë e tij prapa Pallatit të Kulturës së qytetit, kur atij i është afruar një njeri dhe e ka qëlluar me një pistoletë tip “TT”. Plumbat e kanë goditur atë në gjoks, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Afër ka qenë edhe një polic rrugor, i cili është përpjekur që t’i japë Ballës ndihmën e parë, duke e transportuar 25-vjeçarin me një makinë në spitalin e Durrësit. Por kjo ka qenë e kotë, pasi viktima nuk mundi që t’i shpëtonte sulmit. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia. U ngrit një grup pune për zbardhjen e këtij rasti, ku u morën dëshmitë e para në lidhje me këtë ngjarje. Sipas hetimeve paraprake, duket se midis viktimës dhe agresorëve ka pasur një sherr të ndodhur më parë dhe kjo ka çuar në sulmin ndaj 25-vjeçarit. Sipas burimeve të policisë, është identifikuar personi që ka qëlluar me pistoletë 25-vjeçarin dhe po punohet për kapjen e tij.

Ngjarja

Viktima ishte duke lëvizur në rrugën prapa pallatit të kulturës së qytetit bregdetar “Aleksandër Moisiu” me makinën e tij tip “Range Rover”. Ka qenë ora 12:16 kur afër tij është afruar një person dhe e ka qëlluar atë pesë herë me një pistoletë tip “TT”. Edhe pse Balla kishte edhe vetë një pistoletë të tipit “TT”, ai nuk ka mundur që ta përdorë atë. Ngjarja ndodhi vetëm 100 m larg sheshit “Iliria”. Plumbat e kanë kapur viktimën në pjesën e gjoksit. Plagët që ai ka marrë kanë qenë vdekjeprurëse, duke bërë që ai të humbë jetën në vend. Menjëherë pas sulmit, agresori është larguar nëpër rrugicat e qytetit, për t’iu shmangur arrestimit të policisë. Ndërkohë, afër ngjarjes ka qenë edhe një polic rrugor, i cili është përpjekur që t’i japë menjëherë ndihmën e parë viktimës. Ai e ka transportuar 25-vjeçarin Balla me makinën e këtij të fundit në spital, por nga plagët e marra dhe nga humbja e gjakut, nuk ka arritur që të shpëtojë.

Hetimet

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje pas sulmit të 25-vjeçarit, ku u morën dëshmitë e para, nga ana e personave të pranishëm në vendngjarjes. Pas punës së bërë u arrit që të identifikoheshin dhe më pas të arrestoheshin tre personat e përfshirë në këtë vrasje. Sipas burimeve të policisë, viktima nuk njihej si kontingjent krimi në qytet dhe se nuk ishte arrestuar më parë për ndonjë vepër penale.

Policia arriti që të identifikonte autorin dhe bashkëpunëtorët e tij dhe pas disa orësh, arriti që t’i arrestonte këta të fundit. Hetuesit kanë marrë në pyetje të arrestuarit në lidhje me zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes. Gjithashtu, në komisariat u shoqëruan edhe pesë dëshmitarë okularë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›