E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: S’ka kthim prapa



Për Partinë Socialiste nuk ka kthim pas dhe as një tolerim për kërkesat e grevistëve. Pas letrës së 10 deputetëve që janë prej gjashtë ditësh në grevë urie ku bëhen dy propozime konkrete për zgjidhjen e krizës sërish PS-ja qëndron e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos hapur negociata me partitë që janë në grevë. Burime nga PS-ja bënë të ditur për “standard” se nuk besohet në një ndryshim të kursit të mbajtur deri më tani ndaj grevës, që do të thotë indiferencë e plotë dhe mospranim i kushteve të grevistëve. Këto burime saktësuan se çdo palë mbron interesat e veta dhe në këtë rast, PS-ja është ajo që nuk dëshiron që të rihidhet për diskutim çështja e administrimit të zgjedhjeve, ku ajo dhe PD-ja vendosën që të largonin LSI-në dhe PDK-në nga përfaqësia me komisionerë. Ndërkaq, Valentina Leskaj, kryetare e grupit parlamentar socialist, e pyetur nga “standard” për këto propozime, nuk pranoi të komentonte. Ajo gjithashtu ka heshtur ndaj kërkesës direkte të Dritan Priftit, deputet i LSI-së, i cili i kërkoi uljen në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë, kreu i PS-së, Edi Rama, mësohet të ketë dhënë porosi që të mos ketë komente zyrtare për grevën, edhe pse disa deputetë nuk i janë bindur duke kërkuar që greva të merret në konsideratë. Kryeministri Sali Berisha ka qenë i vetmi që ka komentuar për këtë situatë, duke lënë të nënkuptojë se mund të jetë PS-ja ajo që ka në dorë kërkesat e grevistëve. Më parë, Kryeministri kishte bërë të qartë se do të pranonte propozimet e opozitës dhe në këtë rast ai sqaron se është i detyruar të bashkëpunojë me partinë më të madhe të opozitës, edhe pse shpreh vlerësim për grevën.

Por megjithëse akoma nuk ka një hap konkret politik të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për të marrë në konsideratë kërkesat e 10 deputetëve grevistë që përfaqësojnë disa parti të vogla parlamentare, këto dy parti kanë intensifikuar takimet për këtë çështje. Siç bëjnë të ditur burime pranë këtyre dy partive, përfaqësues parlamentarë të saj kanë pasur kontakte ditët e fundit për të biseduar mbi mundësitë e bisedimeve me LSI-në dhe PDK-në për Kodin e ri Zgjedhor, i cili tashmë ka kaluar në Komisionin e Reformës dhe pret vetëm votimin në Kuvend. Gjithashtu, kontaktet mes krerëve të grupeve parlamentare të dy partive të mëdha mësohet se kanë në qendër dhe çështjen e zhvillimit të seancave plenare, pasi përbën një problem real dhe teknik për shkak se salla është e zënë nga deputetët grevistë. Seanca e fundit ishte mjaft e sikletshme në prani të deputetëve grevistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›