LSI, propozon zgjidhje për ndërprerjen e grevës

Lëvizja Socialiste për Integrim ndërkohë ka konkretizuar kërkesat e saj për atë që e quan zgjidhjen e situatës. Administrim nga teknikë të pavarur për zgjedhjet ose përfaqësim të të gjitha partive parlamentare, janë dy opsionet e propozuara nga kjo parti në adresë të PS-PD. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha më konkretisht në një konferencë të posaçme për shtyp, se komisionet e qendrave të votimit, ato zonale, të grupeve të numërimit, si dhe KQZ, mund të ndërtohen duke marrë për bazë dy alternativa, të cilat LSI-ja i hedh për negocim. Si mundësi e parë është që këto komisione të jenë në të gjitha nivelet me përbërje teknike dhe si mundësi të dytë, atë të gjithëpërfshirjes në komisione në nivel parlamentar. Vasili e cilësoi të papërgjegjshme deklaratën e Kryeministrit Berisha, se për çështje të reformës zgjedhore, negocion vetëm me Partinë Socialiste. Sipas tij, ky është vetëm një pretekst për të prishur standardet e zgjedhjeve. Në ditën e gjashtë të grevës së urisë për lirinë e votës, të gjithë deputetët e ngujuar në Kuvend kanë pasur komplikacione.