E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI prezanton në Lushnjë 7 kandidatët për deputetë

Prezantohen në qytetin e Lushnjës shtatë kandidatët me të cilët LSI do të përfaqësohet në garën elektorale të qershorit. Kryetari i shtabit elektoral të qarkut të Fierit, Dritan Prifti ka pohuar se duke u mbështetur në të gjitha propozimet e dhëna nga strukturat në këtë rreth si dhe duke analizuar dhe vlerësuar vlerat që ato mbartin, është arritur që të miratohen nga kryesia e LSI edhe të emrave të kandidatëve të rrethit të Lushnjës, pjesë përbërëse e listës së kandidatëve të qarkut të Fierit. Sipas Priftit, në këtë listë nga 16 kandidatë, shtatë prej tyre janë nga ky rreth. Konkretisht, LSI në rrethin e Lushnjës përfaqësohet nga   kandidatët Spartak Braho, Rudina Jupe, Vladimir Hajdari, Barie Çela, Eva Haka, Nikolla Lena dhe Agim Maci. Prifti ka pohuar gjatë prezantimit të tyre se përmes kësaj përzgjedhje është arritur që të kihet parasysh edhe një shpërndarje gjeografike e kandidatëve në këtë rreth, por edhe për të rritur sa më shumë rezultatin e forcës politike të LSI, ku vlen të pohohet futja e intelektualëve të promovuar më parë apo dhe intelektualeve të rinj. Prifti ka shprehur bindjen por dhe ka kërkuar njëkohësisht që duke shfrytëzuar të gjitha potencialet që Lushnja ka dhe duke harmonizuar punën me kandidatët e përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj gare zgjedhore fitorja në qarkun e Fierit do të jetë e thellë dhe e merituar. I pranishëm në këtë takim prezantues ishte edhe sekretari i përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, i cili ka theksuar se aktualisht kjo forcë politike ndodhet në një moment që është shumë i veçantë dhe plot rëndësi. LSI në këtë moment është e qarkuar nga vlera të shumta. Dhe në këtë kontekst vlerat e përbashkëta të të gjithë kandidatëve, vlerat e LSI dhe ato të liderit të saj, Ilir Meta janë të gjitha së bashku një kontribut për të arritur atje ku kemi aspiruar prej vitesh. Të gjithë duhet ta kuptojmë se sot finalizojmë punën e pesë vjetëve, është shprehur Vasili, duke kërkuar që të punohet me objektiva të qarta dhe me synimin për të shkuar bindshëm drejt realizmit të tyre. Vasili ka pohuar edhe faktin tjetër që të gjithë shqiptarët kanë në duar një Plan veprimi, i cili ka përgjigje të qarta për të gjitha problemet që i shqetësojnë shqiptarët sot dhe që do të marrin jetën nga LSI në ditën e fitores. Ndërsa kandidati Spartak Braho ka vlerësuar faktin se të gjitha shtabet elektorale të këtij rrethi janë në gatishmëri pune dhe përmes aktiviteteve të shumta dhe të vazhdueshme kanë bërë që të rritet shkalla e besimit në masë të gjerë për fitoren e 28 qershorit. Një ndër përparësitë që Braho ka kërkuar nga të gjithë kandidatët është ajo e miqësimit të tyre me listat e zgjedhësve. Vënia në funksionim dhe rritja e intensitetit të punës së zyrave të shtabeve elektorale është dhe një shenjë e treguesit të seriozitet të forcës politike të LSI, duke u shndërruar kështu në qendra të komunikimit, marrjes së mendimeve të qytetarëve dhe shkëmbimit të mendimeve për problemet me të cilat ata përballen, është shprehur Braho.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›