E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Korçës: në Gorë nuk ka nisur procesi i kartave

Procesi i kartave të identitetit nuk ka nisur ende në një nga komunat më të largëta të rrethit të Korçës. Banorët e komunës malore të Gorës ende nuk kanë aplikuar për kartat e identitetit duke e patur të panjohur këtë proces, ndërsa nuk janë instaluar pajisjet kompjuterike për prodhimin e kartave në fjalë. Alarmi vjen nga sekretari i përgjithshëm i PS për qarkun e Korçës Muharrem Meko, sipas të cilit kjo komunë është përjashtuar qëllimisht nga qeveria, për vetë faktin se njihet si një komunë e majtë dhe ku votuesit e saj ia besojnë votën e tyre kësaj force politike. Komuna Gorë në rrethin e Korçës ka rreth 3 mijë votues prej të cilëve 1200 zgjedhës janë pa pasaportë duke iu referuar listës të bërë publike nga Ministria e Brendshme. Sipas sekretarit të PS gjatë një konference shtypi mesditën e të martës për këtë çështje, ai ka pohuar se mazhoranca qeverisëse është duke minuar për qëllime zgjedhore këtë proces. Meko ka pohuar se në komunën ku ende nuk janë instaluar kompjuterat dhe nuk dihet se kur do të nisë aplikimi në fjalë, në qarkun e juglindjes sipas tij është i mbarsur me probleme të shumta. Përveç komunës Gorë ku aplikimi nuk ka filluar akoma dhe banorët e të cilit janë duke u mbajtur peng, ndërsa nga ana tjetër një komunë me po kaq probleme është e Liqenasit të rrethit të Korçës. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të PS në qytetin juglindor në këtë komunë punonjësi i postës Lublin Simonovski që mbulon zonën e Gorricës kuponët i mban me vete duke i shpërndarë në familjet me bindje të djathta. Kjo ka krijuar probleme të shumta, ndërsa aplikantët që nuk kanë pasaportë dhe që kanë bindje të majta nuk iu jepet kuponi. PS e Korçës reagon duke iu bërë thirrje strukturave shtetërore për të ndërhyrë në komunat e lartpërmendura për të mos lënë mënjanë njerëzit e interesuar për tu pajisur me kartë identiteti e cila iu duhet  për të shkuar në votimet e 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›