E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI publikon shtyllat e programit elektoral

Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, informoi dje se ka përfunduar drafti i programit për zgjedhjet e vitit 2009. Ai vlerësohet të jetë konkludimi i një procesi të gjatë me angazhimin e strukturave të LSI, të specialisteve më të mirë e grupeve të interesit, si dhe vetë qytetarëve. "Propozimi ynë për qytetarët shqiptarë është një model thellësisht social në zhvillimin e vendit, me qëllim që rritja ekonomike e vendit të ketë efekte të menjëhershme te cilësia e jetës së qytetarëve, sidomos te shtresat me në nevojë", tha Haxhinasto. Sipas tij, shtylla e parë e programit është punësimi, si një objektiv madhor i programit të LSI. "Ne kemi qëllimin e punësimit të plotë të shqiptarëve brenda mandatit të ardhshëm", tha ai. Tjetër objektiv është lufta kundër varfërisë ku do propozohet bonusi jetik, paketë parash në cash, politikash të tjera për të mbushur hendekun e madh që ekziston midis nivelit më të ulët të të ardhurave dhe minimumit jetik. Së treti, është garantimi i jetës së qytetarit. "Që do të përmbajë në tërësinë e politikave dhe masave për të rritur sigurinë e jetës së qytetarëve, në kushtet kur jeta e tyre është krejt e pasigurt", nënvizoi Haxhinasto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›