TI, letër Berishës: Të mos preket liria e medias!
Organizata prestigjioze, "Transparency International", i dërgon letër Kryeministrit Sali Berisha për çështjen e lirisë së medias. Evakuimi i gazetës "Tema", nga ndërtesa ku zhvillonte veprimtarinë ka qenë shkaku që "Transparency International" i ka dërguar mesazhin shefit të qeverisë. Sipas Miklos Marshall, drejtor rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore kjo çështje shihet si rritje e presionit politik kundër zërave kritikë në media. "Transparency International" gazetën "Tema" e quan si media që denoncoi korrupsionin qeveritar. Dëbimi i gazetës "Tema", e cila ka kritikuar shpesh korrupsionin e zyrtarëve, shikohet nga "Transparency International" si një shenjë e rritjes së presionit politik kundër zërave kritikë në media. "Unë po Ju shkruaj pasi pata privilegjin t‘ju takoja vitin e kaluar në Tiranë, dhe isha shumë i impresionuar nga përkushtimi Juaj i pastër dhe i artikuluar mirë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Siç e dini, media e lirë dhe e pavarur është një nga kushtet bazë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri", citohet në letrën e Miklos Marschall drejtuar Kryeministrit Sali Berisha. "Nëse gazetarët ndihen të frikësuar gjatë detyrave të tyre, një nga shtyllat më të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe sistemit të llogaridhënies do të dobësohen", theksoi në letrën e tij drejtori rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore të "Transparency International". Me anë të kësaj letre, TI kërkon që qeveria të nisë një investigim për këtë çështje dhe që qeveria të tregojë se e merr seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe është gati që të mbrojë lirinë e medias në Shqipëri. Në letrën e TI është specifikuar se sipas informacioneve të marra nga burime publike, Ministria e Ekonomisë fshihu në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim të mëtejshëm kontratën 20-vjeçare të gazetës me ndërtesën. "Një bllokadë e papritur policore vazhdoi, dhe punonjësit e gazetës u dëbuan nga zyrat e tyre. Policia nuk dha shpjegime zyrtare. Ne kuptojmë, që ka një mosmarrëveshje ligjore mbi kontratën; por jo më pak e rëndësishme, ne besojmë që përderisa mosmarrëveshja nuk është zgjidhur me një vendim të prerë të gjykatës, atëherë urdhri për evakuim nuk është lëshuar. Për më shumë, për aq sa ne dimë, vendimi më i fundit i gjykatës është në favor të gazetës", citohet në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha nga "Transparency Interantional".