E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI "replikon" me Topallin: Rotacioni, problem i PD-së

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim, me anë të sekretarit për çështjet elektorale, Ylli Manjani, i është përgjigjur dje "flakë për flakë" deklaratave të kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, sipas së cilës PD do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës pavarësisht nëse Ilir Meta e prish apo jo paktin për bashkëqeverisje me demokratët. Manjani i bëri thirrje demokratëve të jenë më të kujdesshëm, e të mos japin deklarata të pamenduara mirë që mund të rëndojnë mbi marrëveshjen PD-LSI.
"LSI-ja nuk është as bateri dhe as gjenerator elektoral për partitë e tjera. Çështjen se fitojnë apo jo zgjedhjet pa LSI-në e mendojnë partitë e tjera sipas interesave që kanë. Është me vend të kujtoj që në 7 vitet e fundit, viti i 8-të ky, është PD që qeveris dhe nuk është LSI. Nëse ka presion për rotacion, kjo i vjen PD-së dhe jo LSI. Madje mund të them se kemi dhe konstatime ndërkombëtare për lodhje nga pushteti. Ne nuk kemi asnjë arsye për të prishur marrëveshjet politike. Nëse PD ka një çështje që do të prishë marrëveshjen politike, është problem i PD-së", - tha Manjani në një prononcim të dhënë për Ora News. Numri dy i Ministrisë së Transporteve, ka komentuar gjithashtu edhe akuzat e kryeparlamentares se korrupsioni ka goditur deri në nivel zv/ministrash. "Unë nuk jam shefi i sindikatë së zv/ministrave. Megjithatë nuk mund të thuhet se ka korrupsion vetëm në këtë nivel dhe në stade apo kupola më të larta jo", -theksoi ai.
TOPALLI
Dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuar në emisionin "5 pyetjet nga Babaramo" në NEWS 24 deklaroi mes të tjerash se demokratët do t'i fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm pavarësisht faktit nëse LSI qëndron në koalicion PD-në apo bashkohet në aleancë me PS-në. E pyetur nga gazetari, Ilir Babaramo nëse PD-ja i trembet bashkimit Rama-Meta në prag të zgjedhjeve të 2013-ës, Topalli u përgjigj se "absolutisht jo. Shqiptarët janë racë inteligjente. As matematikisht nuk iu ecën. Numrat në politikë nuk është si të mbledhësh domate. Ne jemi të prirur për të pasur një koalicion sa më të gjerë, por cilido variant që të ndodhë, ai variant që ju thoni nuk sjell sinergji, nuk sjell më shumë vota", - tha Topalli.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›