LSI, sërish apel forcave politike për reformën zgjedhore

Haxhinasto: Bashkëpunimi politik, element i rëndësishëm për vendimmarrjen e BE
Lëvizja Socialiste për Integrim i apelon sërish forcave politike, të nisin përgatitjet për hartimin e reformës së re zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto tha sot gjatë një konference për shtyp se opozita duhet të pranojë ftesën e mazhorancës, për nisjen e dialogut politik dhe konkretizimin e reformës, e cila mbetet një kërkesë permanente e faktorit ndërkombëtar. “Dialogu politik është shumë i rëndësishëm për reformën zgjedhore, kjo për t’i dhënë një mesazh të mirë vendit tonë dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilat duan të na shohin në familjen e madhe europiane”- u shpreh Haxhinasto. Ndërsa citoi se të gjitha forcat politike duhet të jenë gjithëpërfshirëse në këtë proces, ku mjaft e rëndësishme është dhe kontributi nga Partia Socialiste. “Procesi i reformës zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur ndaj shoqërisë civile. Pjesëmarrja e opozitës është treguesi më i mirë për larmishmërinë, për të realizuar standardet më të larta zgjedhore”- u shpreh Haxhinasto.
Në një konferencë për shtyp, Haxhinasto citoi se reforma zgjedhore dhe bashkëpunimi politik janë elemente të rëndësishme të vendimmarrjes për në Bashkimin Europian, në vjeshtë të këtij viti.