LVIV – Dhjetëra diplomatë të BE-së takohen për të shënuar Ditën e Evropës

KIEV, 9 maj /ATSH-DPA/- Dhjetëra ministra të Jashtëm dhe diplomatë të BE-së u takuan sot në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në “Ditën e Evropës”.
“Është e rëndësishme dhe simbolike që partnerët evropianë po qëndrojnë krah për krah me Ukrainën në Ditën e Evropës”, tha sot kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në Telegram – pas bisedimeve me diplomaten e lartë të BE-së, Kaja Kallas.
Data 9 maj simbolizon paqen dhe unitetin në Evropë, dhe këtë vit shënohet 75-vjetori që nga propozimi historik – që shihet si hedhja e themeleve të bashkëpunimit evropian.
Sipas burimeve ukrainase, 35 përfaqësues të lartë evropianë ishin të pranishëm në Lviv, përfshirë ministrin e ri të Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
Duke vendosur kurorat në Varrezat e Lychakiv, diplomatët përkujtuan ukrainasit e vrarë që nga pushtimi rus në vitin 2022.
Programi përfshinte diskutime mbi situatën në vijën e frontit dhe nevojën për armë të mëtejshme për Kievin.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha tha se bisedimet do të përqendroheshin gjithashtu në krijimin e një gjykate të posaçme për të gjykuar udhëheqësit rusë.
Që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022, Kievi ka punuar për krijimin e një gjykate të posaçme, të modeluar sipas gjyqeve të Nurembergut, për të vendosur përpara përgjegjësisë udhëheqjen ruse nën drejtimin e presidentit, Vladimir Putin. //a.i/