E Martë, 3 Nëntor 2026

“La Repubblica”: Këshilli italian i Ministrave dritë jeshile dekretit për përdorimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri

ROMË, 28 mars /ATSH/- Në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave pritet të diskutohen disa çështje të rëndësishme – një ditë pas pjesëmarrjes së kryeministres italiane, Giorgia Melonit në samitin e “koalicionit të të gatshmëve”, në Paris për të mbështetur Ukrainën, sipas “La Repubblica”.

Këshilli i Ministrave pritet t’i japë dritën jeshile çështjes kyçe të emigracionit – duke qenë se qeveria është e gatshme të marrë masa përmes një dekreti ad hoc për përdorimin e synuar të qendrave në Shqipëri, të cilat ende nuk kanë hyrë në fuqi për shkak të mosmarrëveshjeve të ndryshme ligjore që kanë përfshirë përcaktimin e vendeve të sigurta dhe që po shqyrtohen nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi paralajmëroi pak ditë më parë se qeveria italiane pritet të zyrtarizojë në mbledhjen e këshillit një dekret të veçantë.

“Ashtu siç ishte parashikuar disa ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, qeveria italiane tashmë synon t’i transformojë të dy strukturat në qendra paraburgimi riatdhesimi – CPR.

“Ne po mendojmë për një riaktivizim të ardhshëm të të paktën një komponenti të funksioneve të asaj qendre, që tashmë ekziston: qendrës së riatdhesimit”, tha Piantedosi.

Qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe në Gjadër do të ndryshojnë funksion.

Nëse më parë ato ishin konceptuar për mbajtjen e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, tashmë do të përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.

Zyrat në portin e Shëngjinit do të shërbejnë për pritjen dhe regjistrimin e emigrantëve që do të transferohen më pas në Gjadër.

Në këtë kamp do të dërgohen edhe emigrantë që nuk vijnë nga vende të sigurta.

Qëndrimi i një emigranti në këtë qendër mund të zgjasë deri në 1 vit e gjysmë në pritje të riatdhesimit. Problem do të jetë mbështetja ligjore dhe kostot.

Në bazë të ligjit, dëbimi duhet të ndodhë nga territori italian dhe kjo mund të kërkojë që çdo emigrant të rikthehet edhe një herë nga Gjadri në Itali përpara dërgimit në shtëpi.

Ndryshimi në funksionimin e Gjadrit është kritikuar nga opozita italiane.

Elly Schlein, sekretare e Partisë Demokratike u shpreh se dekreti është në kundërshtim me ligjin e BE-së dhe se do të nevojiten më shumë para dhe madje edhe një ndryshim në marrëveshjen Rama-Meloni. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›