Laç, policia parandalon vrasjen e një personi
Një vrasje është shmangur vetëm në çastet e fundit në Kurbin dhe merita i shkon forcave të policisë që pas sinjalizimit, ndërhynë shpejt duke bërë neutralizimin e situatës. Burime nga policia lokale bënë të ditur se ngjarja ka nisur të precipitojë pas mesnatës duke gdhirë dita e djeshme.
Sipas të njëjtave burime, R. A., ka treguar se një makinë e markës Benz, me targë, LA 6631 A e disa të afërmve të tij, i është afruar tek shtëpia, me një synim, ti merrnin jetën me plumba. Personi në rrezik, R. A., ka sinjalizuar policinë duke pohuar se disa të afërm të tij po e kërcënojnë dhe forca të Komisariatit të Kurbinit, kanë shkuar menjëherë në vendin e denoncuar. Atje kanë gjetur automjetin e mësipërm, të cilit i kanë kryer një kontroll ku dhe gjetën një armë të tipit Beretë, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Ne kemi kryer arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, 49- vjeçarit Ajet Osmani, banues në Milot, thanë burimet zyrtare policore. Ndërkaq, nga hetimi doli se Ajet Osmani ka kanosur disa herë për vdekje shtetasin R. A, pasi kanë pasur një konflikt mes tyre, për arsye pronësie. Burimet hetimore bënë të ditur gjithashtu se bëhet fjalë për një tokë që aktualisht shfrytëzohet nga R. A, por që Ajet Osmani, pretendon të jetë e tija. Ndërkaq, është bërë sekuestrimi i armës së zjarrit si dhe e automjetit ku është gjetur arma.