E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur drejtuar z. Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë

Nga Hamdi KAZIU 
Z. President, ju kam takuar personalisht për pak minuta rastësisht në fund të muajit korrik të vitit 2008 dhe ju kam vënë në dijeni që ju kam dërguar një letër, por ju më thatë që letrën time nuk e kishit marrë. Ju më sugjeruat që të nesërmen të vija në Presidencë dhe ti komunikoja z. Dashamir Xhaxhiu që kisha takuar Presidentin e Republikës, si dhe ti kërkoja informacion për letrën që ju kisha dërguar juve. Por kur unë ditën e nesërme i kërkova z. Dashamir Xhaxhiu informacion lidhur me fatin e letrës që ju kisha dërguar juve, ai kontaktoi sekretaren e Presidencës dhe më pyeti se cila ishte kërkesa ime kryesore që kisha parashtruar në këtë letër. Unë iu përgjigja se në këtë letër kam kërkuar një takim të menjëhershëm më z. President personalisht në zyrën e tij. Z. D. Xhaxhiu mbajti shënim numrin e tel. Tim celular dhe të telefonit fiks të shtëpisë sime dhe më tha që: Do të më japësh pak kohë për ndjekjen dhe verifikimin e kësaj çështjeje sepse tani është muaji gusht dhe ne jemi të zënë shumë me punë të rëndësishme!. Kështu që unë prita ca kohë, siç më tha z. Dashamir Xhaxhiu dhe erdha përsëri në Presidencë në muajin shtator 2008. por kur unë komunikova me oficerët e shërbimit të ruajtjes së Presidencës, për çudi z. Dashamir Xhaxhiu u tha atyre që: Këtë njeri nuk e njoh fare. Nga kjo përgjigje, në të vërtetë unë nuk u çudita fare sepse qysh kur kam dalë nga burgu politik i kohës së diktaturës në nëntor 1982, regjimi komunist më la qëllimisht të papunë për 9 vite me radhë, deri në vitin 1991, në një kohë që unë isha edhe kryefamiljar, me një familje me 5 anëtarë në ngarkim dhe mbaj mend shumë mirë që kur unë shkoja në zyrat e punësimit për të kërkuar ndonjë punë, gjithmonë aty do të ishte i pranishëm edhe një punonjës i policisë sekrete komuniste shqiptare. Kur unë i pyesja punonjësit e zyrës së punësimit se kush ishte ky person, ata më përgjigjeshin menjëherë që Ky njeri është i yni!. Me kaq merrte fund në mënyrë negative edhe çështja e punësimit tim. Këtë gjë, të heqjes sime nga puna skalionet e ish-sigurimsave ma organizuan edhe në vitin 1991, duke bërë që sot unë të marr padrejtësisht një pension të pjesshëm. Mos vallë pasi unë dola nga takimi i parë me z. Dashamir Xhaxhiu, të cilin e takova pas takimit të shkurtër që patëm së bashku me porosinë tuaj, ky njeri, d.m.th, z. Dashamir Xhaxhiu mori kontakt me atë kategori njerëzish që më kanë lënë mua për 9 vite me radhë të papunë dhe që më goditën edhe në kohën e demokracisë, apo mos vallë iu dha urdhër nga poshtë që të mos ta zbatonte porosinë tuaj? Në një kohë kur z. Dashamir Xhaxhiu është shumë i gatshëm që të fusë në takim me juve, gra, baballarët e të cilave kanë shkruar poezi të flakta revolucionare për Partinë e Punës dhe për sh. Enver, apo ndonjë prokuror komunist që ka vrarë dhe ka dënuar bijtë më të mirë të shtresës nacionaliste antikomuniste të popullit shqiptar, mua si ish-i burgosur politik më ka krijuar një mur të lartë pengese të pakapërcyeshëm për tu takuar me ju personalisht. Dëshiroj të theksoj z. President se unë jo vetëm që kam qenë një i dënuar politik i kohës së diktaturës, në bazë të nenit famëkeq 55/1: Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, me 7 vjet heqje lirie, por gjithashtu i përkas një familjeje nacionaliste të persekutuar egërsisht nga ana e regjimit komunist: edhe babai dhe vëllai im kanë qenë të dënuar politikë nga diktatura komuniste. Unë jam plotësisht i bindur se sikur edhe vetë z. Xhorxh Bush si ish-President i SHBA-ve, apo edhe z. Barak Obama-Presidenti aktual i SHBA-ve, ti kisha dërguar një letër do të më kishte kthyer një përgjigje kortezhe, ndërsa këtu në vendin tim, për çudinë time, sot kur jemi në vitin 2009, jo vetëm që as edhe një përgjigje e shkurtër me shkrim nuk më është dërguar për letrat e mia, kur ligji e specifikon që përgjigja duhet ti kthehet qytetarit brenda një muaji, por as mundësia e një takimi me Ju, nuk më është dhënë, duke më lënë pa asnjë lloj zgjidhjeje, në një kohë kur rëndësia e këtyre problemeve për të cilat ju kam shkruar është madhore dhe e një rëndësie jetike për mua dhe familjen time. Duke përfunduar, theksoj që nuk dua asnjë lloj komunikimi me telefon nga ndonjë ndihmës i juaji, si rasti i z. Dashamir Xhaxhiu por kërkoj që në mënyrë urgjente të më prisni në takim ju personalisht në zyrën tuaj.

*Ish-i dënuar politik

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 09:33

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›