E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, vritet aktivisti i LSI, plagoset kandidati i PD, Mhill Fufi

23-06-2013 / Gazeta 55

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur pranë një qendre votimi në qytetin e Laçit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50 pranë gjimnazit të qytetit “At Shtjefën Gjecovi” ku ndodhet edhe qendra e votimit ndërsa ende nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me sfondin politik.
Sipas policisë viktima është Gjon Gjoni, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërsa është plagosur kandidati i PD-së, njëkohësisht nënkryetari i qarkut të Lezhës Mhill Fufi si dhe 39-vjeçari Kastriot Fufi i cili është dërguar në spitalin ushtarak në Tiranë.

Ngjarja në Laç, Conny McCormack: Dënojmë çdo akt dhune

Për ngjarjen së Laç ku u vra një simpatizant i LSI-së dhe u plagosën edhe kandidati i PD-së Mëhill Fufi dhe Kastriot Fufi ka reaguar edhe Shefja e delegacionit të OSBE-ODIHR Conny McCormack e cila ka theksuar se dënohet çdo akt dhune gjatë procesit zgjedhor.
Gjithashtu Shefja e delegacionit të OSBE-ODIHR, McCormack ka theksuar se vëzhguesit janë të shpërndarë kudo në Shqipëri ku po monitorojnë procesin e votimit ndërsa nesër do të publikohet edhe raporti paraprak.

Rama: S’ka forca kriminale që do pengojnë popullin të vendosë

Ndërkohë kreu i PS-së Edi Rama dhe ai i LSI-së Ilir Meta kanë akuzuar policinë e Shtetit për tensionimin e situatës në Laç. Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama ka theksuar se policia e ka treguar tashmë se nuk është në krye të detyrës. “Ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje, nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të vendosur për të mbrojtur çdo votë, këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarët, për të diktuar një vullnet që është krejtësisht minoritar dhe s`mund ti kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar”- tha Rama.
Ai ka bërë thirrje për qetësi e pjesëmarrje. “Ne do garantojmë vullnetin e popullit, s’ka forca kriminale që mund ta pengojnë popullin të vendosë. Për më tepër edhe njëherë tjetër i them Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të zgjedhjeve. Është një domosdoshmëri sepse kemi hasur në këto orë të fundit dhe në ditët e fundit, që nga Kukësi në gjithë zonë e veriut, një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me gjithë Shqipërinë për ndryshimin”- tha Rama.

Meta: Elementë kriminalë qarkullojnë në qendrat e votimit
Ndërsa kreu i LSI-së Meta në një linjë telefonike për “Ora News” e ka cilësuar ngjarjen si skenar për të manipuluar votën ndërsa ka theksuar se elementë kriminalë qarkullojnë në qendrat e votimit. “Që në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Fola me drejtorin e policisë Burgaj dhe i kërkova që policia të angazhohet për të parandaluar elementë kriminalë dhe banditët që u bëjnë presion komisionerëve në mënyrë që të evitohej një gjakderdhje e mundshme që fatkeqësisht kjo ndodhi dhe po vijon pasi votuesve po u bëhet presion nga elementë kriminalë qarkullojnë në qendrat e votimit”- tha Meta për Ora News.
Gjithashtu Meta u shpreh se së bashku me kryesocialistin Rama janë nisur drejt Sanxhakut ku nuk po votohen në 5 qendra votimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›