E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, 3 të vdekur dhe 1 i plagosur

(E plotësuar) Konflikti për pronësinë e një lokali është shndërruar në një tragjedi në Laç. Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë, si pasojë e një shkëmbimi zjarri mes dy vëllezërve Syziu dhe dy vëllezërve Krosi në qendër të qytetit të Laçit.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në lokalin e biznesmenit Lekë Syziu, i cili dyshohet se i kishte borxh një shumë të konsiderueshme parash shtetasit Arben Krosi dhe nuk ja kishte kthyer sipas marrëveshjes. Për këtë arsye, Arben Krosi pretendonte pronësinë e lokalit të Syziut, me qëllim që ta konsideronte të shlyer borxhin në fjalë.

Paraditen e sotme 43-vjeçari Arben Krosi bashkë me vëllain e tij Florian Krosi, janë paraqitur në lokalin e Lekë Syziut për të sqaruar çështjen e borxhit, ku janë konfliktuar me vëllezërit Syziu.

Pas konfliktit verbal të dyja palët kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri- tjetrit. Për pasojë, ka humbur jetën në vendngjarje biznesmeni Lekë Syziu, ndërsa janë plagosur rëndë vëllai i tij Pal Syziu, Arben Krosi dhe 26-vjeçari Florian Krosi, të cilët u dërguan menjëherë në spital.

Pak orë pas ngjarjes, Pal Syziu dhe Arben Krosi nuk mundën të përballonin plagët e rënda dhe ndërruan jetë në spital, duke e çuar në tre numrin e viktimave.

Policia konfirmon faktin se ngjarja nuk ka lidhje me procesin zgjedhor, por shkaku ka qenë një konflikt pronësie mes biznesmenit Lekë Syziu dhe shtetasit Arben krosi. Ndërkohë policia po punon për të zbardhur ngjarjen e rëndë./Indeksonline/

-----

Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Laçit ku një 50-vjeçar është vrarë në rrethana ende të pasqaruara.

Sipas burimeve të policisë viktima është Lekë Syziu.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të bashkisë së Laçit./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›