E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prelec: Normalizimi arrihet kur BE s’ka nevojë të bëj presion

Të gjithë ata që mendojnë se Kosova mund të ushtrojë autoritetin e vet në veri pa bashkëpunimin e Beogradit thjeshtë fantazojnë. Kështu vlerëson Marko Prelec, drejtor për Ballkanin i organizatës Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Ai është një nga personat që më së miri e njeh mënyrën se si frymon Ballkani. Përgjatë karrierës së tij ndër të tjera ka shërbyer edhe në zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në ish Jugosllavi.

Gjatë një interviste të dhënë ekskluzivisht për Indeksonline, Prelec vlerëson se megjithë marrëveshjen e arritur që mban emrin “Normalizim i marrëdhënieve”, Kosova dhe Serbia ende janë larg trajtimit të njëri tjetrit “normalisht”.

Normalizimi i plotë arrihet atëherë kur sipas Prelec, Beogradi bën dicka për Kosovën pa pasur frikë nga afatet kohore që imponohen nga Bashkimi Evropian. Deri atëherë ka shumë punë për tu bërë. Më poshtë lexoni intervistën e plotë me Marko Prelec.


Indeksonline:
Disa media ndërkombëtare vizitën në Beograd të Ministres për Integrime Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku e vlerësuan si një “ndryshim i madh në politikën serbe”. A e besoni të njëjtën gjë apo konsideroni se kjo ishte vetëm një “marifet” nga të dyja palët për të marrë atë që po e presin në samitin e 28 qershorit në Samitin e BE-së?

Prelec:
Vizita e Vlora Çitakut në Beograd ka qenë një shenjë e mirë, një simbol i mirë. Do të ishte e paimagjinueshme një vizitë të tillë para muajit Prill (para arritjes së marrëveshjes Kosovë Serbi). Mirëpo një ditë ne duhet të tejkalojmë simbolet në veprime që arrijnë të bëjnë ndryshimin real. Kjo do të jetë testi i vërtetë për politikën serbe; këtë do e kuptoni kur Beogradi do bëjë diçka për ta ndihmuar Kosovën, diçka për të cilën nuk do kishte ndonjë afat kohor të Bashkimit Evropian.

Indeksonline:
Të dyja qeveritë besojnë se kanë punuar shumë për të merituar vendimet pozitive nga BE; Serbia datën e fillimit të negociatave për anëtarësim dhe Kosova fillimin e negociatave për MSA. Të gjitha këto kryesisht për shkak të marrëveshjes së Prillit! A do të thotë kjo që rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së është bërë tërësisht politike?

Prelec:
Ne po flasim për të hyrë në rrugën e BE-së, jo rrugën vet. Në të mirë apo të keq, për të kaluar përmes portës dhe për të dalë në auto-udhën e BE-së këto ditë përfshinë edhe shumë çështje politike. Për Kosovën dhe Serbinë tema është marrëdhënie bilaterale. Për Bosnjën është ndryshimi i Kushtetutës që ta bëjë atë në përputhje me një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për Maqedoninë, është çështja e emrit me Greqinë. Të gjitha këto janë çështje të rënda. Duke e bërë zgjidhjen e këtyre çështjeve kusht për ta marrë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, apo për tu bërë një vend kandidat apo për të filluar negociatat do të thotë që këto shtete presin më gjatë, në disa raste me vite para se të hyjnë në rrugën e BE-së dhe të fillojnë reformimin e qeverisë së tyre për të mirën e popullit.

Indeksonline:
Nëse rruga është bërë politike, a është kjo e gabueshme duke e pasur parasysh që të dy vendet, pak më shumë Kosova, kritikohen ashpër në pothuajse të gjitha raportet ndërkombëtare për korrupsion dhe krim të organizuar?

Prelec:
Pajtohem me ata që mendojnë se procesi i afrimit me BE-në është një teknikë për të përmirësuar kapacitetet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Procesi padyshim është duke u bërë më i vështirë: Kroacia duhej të bënte me shumë se sa shtetet që janë anëtarësuar më herët. Kosova dhe Serbia ndoshta do të bëjnë edhe më shumë. Sa më shpejtë që fillojnë aq më mirë!

Indeksonline:
Aleksander Vucic ka thënë dje në Beograd se ata e zgjodhën komandantin rajonal për veriun e Kosovës, ndërsa Ivica Daçiq para disa ditësh tha që ata e zgjodhën 3 Nëntorin si datë për zgjedhjet lokale. Në anën tjetër Prishtina rregullisht thotë që Beogradi po e përfundon njëherë e përgjithmonë vendimmarrjen për veriun e Kosovës. Kur dëgjon këto deklarime duket se çfarëdo marrëveshje të arrihet është e pamundshme që të dy palët të flasin në gjuhën e njëjtë?

Prelec:
Të mendosh që Prishtina mund të ushtrojë fuqinë qeveritare në veriun e Kosovës sot pa bashkëpunimin e Beogradit është një fantazi. Asgjë nuk është gabim me një dorëzim të negociuar – në fakt kjo është e vetmja mënyrë për të ndryshuar diçka. Kujtojeni që Beogradi dhe Prishtina janë në të njëjtën anë kur është në pyetje se kush duhet të udhëheqë veriun e Kosovës. Të dyja palët pajtohen se rajoni duhet të jetë pjesë e sistemit të Kosovës, derisa liderët serbë dhe shumica absolute e popullatës atje duan të mbesin pjesë e sistemit serb. Komandanti policor atje është dashur të emërohet nga autoritetet lokale, mirëpo ata nuk duan të marrin pjesë, pra më pas Beogradi e zgjodhi në vend të tyre. Sa i përket zgjedhje, data është ajo që ka marrë pajtimin e kryeministrave, mirëpo më e rëndësishme se data është nëse ndokush apo askush do të paraqitet për të votuat. Nuk ka kurrfarë kuptimi nëse mban zgjedhje para se komunitetin lokal ta përfshini politikisht, të prodhohen kandidatët dhe partitë. Kjo kërkon punë të madhe dhe merr kohë të gjatë.

Indeksonline:

A mund të besojmë që më marrëveshjen e Prillit dhe implementimin e plotë të tij, Kosova dhe Serbia kanë normalizuar në tërësi marrëdhëniet mes tyre?

Prelec:
Ne ende jemi shumë larg normalizimit të plotë. Shpresa është që normalizimi do të arrihet derisa të dy kryeministrat e çojnë para procesin negociues me BE dhe kjo mund të ndodh, por ka probleme të mëdha si p.sh. si mund të bëhet Kosova një vend kandidat kur nuk njihet (5-shja e BE-së), sa larg mund të shkojë Serbia pa e njohur Kosovën. Edhe me implementimin e plotë të marrëveshjes së Prillit do të ketë ende shumë për tu bërë. Por, të dyja palët bërë hapa shumë të mëdhenj përpara, për shkak të liderëve që janë përfshirë në bisedimet e Brukselit. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›