E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi hyn në Histori, fiton edicionin e 61-të të Kupës së Shqipërisë.

Edicioni i 61-të i Kupës së Shqipërisë ka njohur tashmë fituesin më të ri jo vetëm të sezonit por edhe në historinë e kompeticionit. Në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” Laçi ka mundur me rezultatin 1-0 në fundin e 30-të minutëshit shtesë ekipin e Bylisit duke siguruar kështu trofeun e parë në historinë e klubit.

Loja nis me një atmosferë të veçantë në shkallët e stadiumit ku tifozët ishin përgatitur për ti dhënë një tjetër kuptim fnales së kupës. Rasti i parë i takimit u takon Laçianëve. Në minutën e 9 është Shazivari që rrezikon me anë të një goditjeje dënimi por topi i goditur prej tij kalon ngjitur me trekëndëshin e portierit Frashëri.

Kurbinasit vijojnë të sulmojnë por momenti kyç i 45 minutave të parë është dalja me karton të kuq e lojtarit të Bylisit Arifi që në 20 minutat e para. Edhe pse me 10 lojtarë ballshiotët zgjohen në minutat e fundit duke rrezikuar seriozisht portën e Bakajt nga distanca. Në minutën e 42 është Sefa që lëshon një goditje të fortë që grushtohet me vështirsi nga portieri Laçian. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë është Laçi që ka rastin me të pastër për të shënuar.

Emurllai pasi shmang portierin nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës me portën e boshatisur. Kurbinasit shfrytëzojnë epërsinë numerike për të kontrolluar lojën dhe për të krijuar raste të tjera. Në minutën e 74 Vucaj bën gjithçka mirë por Frashri tregon aftësitë e tij duke i mohuar golin. Ballshiotët mundohen të reagojnë dhe në minuten e 83-të kanë shansin më të mirë me anë të Izuçukut por ky i fundit nuk arrin të devijojë me kokë.

Loja e rregullt mbyllet pa fitues ndërsa duhej të vinte minuta e fundit e kohës shtesë prej 30 minutash që të kishim skuadrën fituese të këtij trofeu. Çela bëhet heroi i Laçianëve pasi shfrytëzon më së miri një rrëmujë në zonë për të shënuar golin e vetëm që i jep kupën për herë Kurbinasve. Laçianët janë në qiellin e shtatë pasi kanë arritur të shkruajnë emrin në historinë e futbollit si fitues të kupës së Shqipërisë në Edicionin e 61-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›