E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 pikë në 6 javët e fundit, ja si u shpall Dinamo kampione

Ecuria

Nëse nuk do të kishte qenë për ngjarjet e javëve të fundit, ky i sezonit 2009-2010 do të ishte padyshim një titull që në historinë e Dinamos do të kujtohej për dominimin absolut të kampionatit. Blutë e mbyllin fazën e dytë të Superiores me 54 pikë të grumbulluara në 22 ndeshje, ku mesatarisht kanë marrë 2,45 pikë nga 3 të mundshme në ndeshje. Me 17 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje (në fushën e Shkumbinit dhe Apolonisë), ata ishin të sigurt në rrugën drejt titullit, edhe sepse Besa e vendit të dytë ishte plotë 14 pikë larg. Faza e tretë ka nisur me fitore për blutë, në ndeshjen përballë Gramozit. Diferenca e rritur në 17 pikë me vendin e dytë ka bërë që edhe skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça të hynte në “vorbullën” e dhuratave, ku deri në javën e 23 ishin hedhur dyshime vetëm për Besën dhe Tiranën. Më pas, dinamovitët kanë regjistruar një barazim (me Kastriotin në javën e 25) dhe pesë humbje. Dashur pa dashur, ecuria e Dinamos në këtë fazë të tretë ka qenë e njëjtë me atë të Gramozit të vendit të fundit: blutë kanë marrë vetëm 4 pikë, aq sa edhe skuadra që do t’i japë e para lamtumirën elitës së futbollit shqiptar (matematikisht ende nuk kanë rënë nga kategoria). Për të fituar kampionatin, kryeqytetasve u duhej të paktën një pikë në sfidën e humbur dje me Teutën. Por, humbja e Tiranës përballë Laçit, në luftën për një “biletë” europiane, ua ka lehtësuar punën.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›