Lacio, rikthehet idea e rokadës Tare-Bogdani

Orët e merkatos në Itali janë në përfundim e sipër por ende nuk janë bërë të qarta destinacionet e dy futbollistëve më të rëndësishëm shqiptarë që luajnë në Itali, Igli Tare, aktualisht në forcë me Lacion (Seria A), dhe Erjon Bogdanit, ende nën kontratë me Kievon (Seria B).
Tare - Lajmet më të fundit nga mediat italiane flasin për manovrat e Lacios që e cojnë Igli Taren te Kievo në Serinë B, edhe pse sulmuesi shqiptar, i cili luajti për pak minuta në Ligën e Kampioneve në fitoren Lacios me Dinamon e Bukureshtit, nuk e sheh kategorinë e dytë italiane si mundësinë më të mirë.
Bogdani - Me drejtim të kundërt është fati i Erjon Bogdanit, i cili rihyn sërish në planet e Lacios të kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Lacio ka në plan të shpenzojë edhe 15 milionë euro në merkato, për rinovimin e kontratës së Tomaso Rokit, blerjen e një mbrojtësi dhe një sulmuesi. Lacialët pëlqejnë belgun Vinsent Kompani, që Hamburgu e shiti sezonin re kaluar te Anderlehti, për mbrojtjen dhe Bogdanin për sulmin.