E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen detajet anti-Holandë. Baric 3 konferenca per shtyp

Tri konferenca shtypi në harkun e 10 ditëve. Kjo është agjenda Baricit në kuadër të përgatitjeve kundër "tulipanëve" të Van Bastenit, përpos nëntë seancave përgatitore, një ndeshje kontrolli me Shqipërinë U-19 dhe dy analizave përmes videos të ndeshjeve të kundërshtarit dhe të miqësores të Kombëtares sonë kundër Maltës.
Federata Shqiptare e Futbollit zbardhi të gjitha detajet e përgatitjeve të Kombëtares shqiptare për sfidën e rëndësishme me Holandën, sfida e tetë e kuqezinjve në fushatën kualifikuese Euro 2008, takim i programuar për t'u zhvilluar në datën 12 shtator në impiantin e "Qemal Stafës". Skuadra e drejtuar nga kroati 75-vjecar Oto Baric do të grumbullohet, të hënën, më 3 shtator (ora 14:00) në rezidencën e përhershme të Komëtares në hotel "Adriatik" në Durrës. Po ditën e hënë, ora 17:00, do të zhvillohet edhe seanca stërvitore, që si zakonisht ka pasur karakter shkrythës, nisur edhe nga fakti se futbollistët e thirrur vijnë nga vendet ku ata militojnë si futbollist: Franca, Ukraina, Gjermania, Greqia apo Italia. Ballafaqimi i parë me median i teknikut kroat është parashikuar ditën e martë, në orën 12:30, ku pranë tij do të jenë edhe dy lojtarë. E marta ka në program dy seanca stërvitore (10:30 dhe 17:00). Një ditë më pas, të mërkurën, në orën 11.00 do të zhvillohet analiza video (ndeshje të Holandës në kualifikuese), ndërsa në orën 17.00 është programuar edhe një ndeshje kontrolli me ekipin kombëtar U-19 të drejtuar nga tekniku Ramadan Shehu, ku dhe Baric do të hedhë në fushë formacionin e mundshëm kundër Holandës dhe do të krijojë përshtypje më të plota për gjendjen e lojtarëve, që do t'ia bëjë të ditur edhe medias në konferencën e tij për shtyp, që do të zhvillohet ditën e enjte (ku janë të programuara edhe dy seanca stërvitore).
Në datën 08.09.07, tekniku kroat ashtu edhe sic ka thënë më parë do të niset në Holandë për të ndjekur në aksion "portokallinjtë" në ndeshjen e tyre kundër Bullgarisë. Skuadra do të zhvillojë kete dite nën drejtimin e ndihmësve Kovacic-Duro dy seanca stërvitore, për t'i lënë ditës së diel vetëm njj seancë stërvitore. E hëna e datës 10 shtator nis po me dy seanca stërvitore, ndërsa të martën, kur është dhe dita e fundit e përgatitjeve. Pas një stërvitje (10:30), trajneri Baric do të japë edhe konferencën e fundit për shtyp,të ndjekur edhe nga media holandeze, ku do të shpallë edhe synimet e tij në ndeshjen me Holandën, ku sipas asaj që ai ka shprehur më parë, barazimi do të jetë edhe objektivi maksimal.
E mërkura e datës 12 shtator është dhe dita e sfidës me Holandën (ora 20:45), kur në ndeshjen e parë kundër formacionit të Van Bastenit, Shqipëria humbi në "Amsterdam Arena" 2-1 (gol i Debatik Currit për Kombëtaren tonë). FSHF-ja bëri të ditur edhe disa kufizime për median. Për të garantuar qetësinë dhe rregullin gjatë ditëve të grumbullimit të ekipit kombëtar, intervistat e lojtarëve do të zhvillohen në ditët e konferencave për shtyp sipas programit dhe cdo ditë pas stërvitjeve të pasdites në stadiumin përkatës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›