U-21, Hyka “borxh” për Kroacinë dhe Italinë

Ndërkohë që Kombëtarja A nis të hënën përgatitjet kundër Holandës, kuqezinjtë e vegjël, ajo U-21, të dielën, më 2 shtator, starton përgatitjet për dy sfidat e radhës me Kroacinë dhe Italinë, respektivisht, më 8 (në Elbasan) dhe më 11 shtator (në Durrës) për eleminatoret e Kampionatit Evropian të Shpresave finalet e të cilit do të luhen në Holandë në vitin 2009. Trajneri Artan Bushati ka bërë pak ndryshime nga përfaqësuesja që luajti në miqësoren me Turqinë (të humbur 0-2), dhe e vecanta është rimarrja me huazim e mesfushorit të Kombëtares, futbollistit të Tiranës, Jahmir Hyka, ndërkohë që mungojnë Geri Malaj (Deportivo, Spanjë), Albi Kondi (Panionos, Greqi) si dhe Damian Gocaj (Sansovino, Itali). Nga lista e lojtarëve që luajtën kundër Italisë dhe Ishujve Faroe mungon edhe ish-lojtari i Kievos, Xhulian Rrudho, i cili për hir të së vërtetës nuk prodhoi asgjë në dy ndeshjet e para zyrtare të Shpresave. Ja dhe lista: Sajmir Ujkani(Palermo, Itali), Enea Koliqi (Iraklis, Greqi), Olsi Bishani, Andi Lila, Renato Arapi, Mariglen Shoshi, Erbim Fagu, Bledion Guga, Besmir Arfaj, Franc Veliu, Jetmir Sefa, Gerhard Progri, Elis Begaj, Gilman Lika, Alsid Tafili, Vangjel Mile, Emiliano Vila, Erando Karabeci, Reinaldo Rama (Olimpiakos, Greqi), Enco Malindi, Nevjan Cani, Xhevahir Sukaj, Jahmir Hyka.