E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu dhe Alfonsi, marrëdhëniet mes dy prijësve

Promovimi “Arbëria-Sefarad: në pasqyrën e tjetrit”, përvojat paralele të dy popujve në shek. XV

Detaje e të dhëna të reja mbi marrëdhënien e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe Alfons Zemërmadhit, si dhe njohja e historive paralele të arbëreshëve dhe sefardive, do të pasqyrohen në një vëllim të ri të titulluar “Arbëria-Sefarad: në pasqyrën e tjetrit”, (marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe kurorës së Aragonit, si dhe eksperiencat paralele ndërmjet sefardive dhe arbëreshëve). Ky libër do të promovohet më 22 shkurt në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë për të theksuar si për publikun shqiptar edhe për atë spanjoll një periudhë në të cilën historitë e secilit kryqëzohen. Vepra, e cila është një rishikim i ngjarjeve më të shquara të historisë hispano-shqiptare në mesin e shekullit XV, përmbledh raportet e ekspertëve spanjollë dhe shqiptarë të prezantuara në ditët ndërkombëtare “Marrëdhëniet ndërmjet Alfonsit V e Skënderbeut dhe historitë paralele të arbëreshëve dhe sefardive” në kuadër të vjeshtës kulturore spanjolle në Shqipëri në vitin 2008. Në këtë veprimtari, të organizuar nga ambasada e Spanjës në Tiranë, do të marrin pjesë autorët: ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, Anila Bitri dhe Eva Hyskaj, si dhe shkrimtari Sabri Godo, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, dhe drejtori i muzeut kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Mehdi Afizi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›