Eurobonot, përzgjidhen bankat Fituese
Dy bankat e përzgjedhura janë JP Morgan dhe Deutche Bank. Financat parashikojnë mbylljen e procesit deri në prill
TIRANË- Gjiganti "JP Morgan" dhe "Deutche Bank" janë dy bankat që do të udhëheqin përfshirjen e Shqipërisë në tregun europian të bonove. Përfundoi dje faza e fundit e përzgjedhjes së bankave që do të marrin pjesë në këtë transaksion i cili parashikohet të përfundojë në prill të këtij viti, me emetimin e parë të eurobonos shqiptare.
Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur marrja e një tjetër borxhi rreth 300 milionë euro në tregun ndërkombëtar por kësaj radhe me interesa më të pranueshme krahasuar me vitin e shkuar.
Pikërisht kjo është arsyeja se përse financat e shohin të suksesshëm këtë transaksion. Madje qeveria synon që me pjesën më të madhe të parave që do të huazojë kësaj radhe nga bankat perëndimore të shlyejë kredinë sindikale prej 250 milionë euro të marrë në maj të vitit 2009.
Sipas Ministrisë së Financave, nga shuma 300 deri 350 milionë euro që pritet të emetohet, eurobonoja rreth 200 milionë prej tyre do të përdoren për të shlyer këtë kredi ndërsa pjesa tjetër për nevoja të tjera të buxhetit të shtetit.
Që në publikimin e lajmit për përfshirjen e vendit në tregun e eurobonove, pranë Ministrisë së Financave paraqitën ofertat e tyre 15 banka, nga të cilat u përzgjodhen vetëm 6.
Gjatë procesit të vlerësimit të bankave, financat kanë marrë në konsideratë eksperiencën e tyre në transaksione të ngjashme, aftësinë e marketingut, etj. Pas kësaj, bankat e përzgjedhura bënë një prezantim më të detajuar të propozimeve të tyre pranë ministrisë duke parashtruar aftësitë e tyre në marketimin e bonos shqiptare para investitorëve të huaj.
Ndërkohë, pas përzgjedhjes së dy bankave të cilat do të udhëheqin këtë operacion, në bashkëpunim me to Ministria e Financave parashikon të fillojë marketimin e eurobonos shqiptare në disa qëndra financiare europiane.