Laert Vasili, në rolin e një zyrtari bashkie në një film shqiptar
Do të luajë në një dramë, black komedi urbane me sfond Shqipërinë e sotme, një film i Qendrës Kombëtare Kinematografike më regji të Andi Delianës. Laert Vasili, i cili e zhvillon karrierën në Greqi do të jetë një nga aktorët e përzgjedhur në këtë produksion shqiptar, ku luajnë edhe Elidon Alika, Gentian Zeneli, Xhevdet Jashari, Rozi Kostani, Esmeralda Stafa, Arban Përlala (G-BANI), Sonila Kapetani, etj. Filmi titullohet “Out Of Touch” dhe Laerti luan rolin e një zyrtari bashkie që përzihet në një lidhje jashtëmartesore dhe qëndron i patundur kundër korrupsionit. Ndërsa këngëtari G-Bani luan rolin e një keqbërësi që vepron nën urdhrat e Bosit, por që dështon në misionin e tij. Xhirimet e filmit janë duke u realizuar këto ditë në qytetin e Durrësit, ndërkohë që kjo është eksperienca e parë në një produksion shqiptar për aktorin 35 vjeçar Vasili, i cili prej 15 vitesh vazhdon karrierën e tij kryesisht në Athinë. Shtypi grek e shpalli artistin e vitit 2008, në listën e njerëzve të vitit që u botua nga gazeta greke “Elefterotipia”. Në karrierën e tij ai numëron role në filma televizivë me seri por kryesisht në teatër. Ai bëri shumë bujë me shfaqjen “Emigrantët”, me të cilën u vlerësua me çmimin e parë të regjisë në Festivalin Ballkanik 2005-së, për faktin se shfaqja pati shumë sukses në Greqi. Me shfaqjen “Një në dhjetë” u vlerësua me “Mess Future Prize” në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevos në vitin 2008, gjithmonë duke përfaqësuar Greqinë.