E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktor Zhusti dhe Eva Alikaj, së bashku në një telenovelë

 

Një rol interesant është menduar për aktorin Viktor Zhusti, po ashtu dhe për aktoren Eva Alikaj, të dy të rikthyer në skenën shqiptare pas shumë vite largimi, Zhusti në Greqi dhe Alikaj në Austri. Dy aktorët e njohur janë duke punuar tashmë në Tiranë për xhirimet e një telenovele me shumë seri, projekt i televizionit “Vizion Plus”. Bëhet fjalë për një serial me skenar bazuar në jetën urbane, ku do të ketë dhe dramë dhe humor. Në këtë produksion do luajnë aktorë të tjerë të njohur si; Lazër Filipi, Mehdi Malkaj, Genc Fuga, Klodian Hoxha, Eni Jani, Shpresa Bregu. Seriali është një prodhim grek, dhe ku Zhusti do të interpretojë një rol të rëndësishëm, tipik të një burri të moshës së tij që jeton kohën e sotme dhe që i përshtatet atij. Po ashtu një rol i tillë është menduar për Evën, e cila është rikthyer përfundimisht në Tiranë. Tashmë vazhdon puna për realizimin e telenovelës, transmetimi i së cilës do të zgjasë dy vite. Ky rikthim i Zhustit në skenë u komentua me bujë në media. Aktorit që jetonte prej vitesh në Greqi iu bë ftesa fillimisht nga regjisori Gëzim Kame, njëkohësisht miku i tij, për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar pas shumë vitesh mungesë me shfaqjen teatrale “Të gjithë janë me huqe”. Viktor Zhusti jeton në veri të ishullit të Evias në Greqi. Përveç faktit që kaloi disa vite në burg atje, ai tha për mediat se asnjëherë nuk është shkëputur nga jeta teatrale e artistike e Athinës, të cilën e ka ndjekur rregullisht. Pas shumë vitesh mungesë në Tiranë, tani Zhusti ka vendosur të jetë më gjithnjë e më i pranishëm këtu duke qenë i hapur ndaj ofertave të mirë në teatër ose film. Ndërsa aktorja Eva Alikaj duket se është rikthyer përgjithmonë në Shqipëri. Ishte shkrimtarja Virxhinia Ulf në një farë mënyre arsyeja e rikthimit të saj përgjithmonë, ndërsa u përzgjodh me emergjencë për të zëvendësuar aktoren Luiza Xhuvani, e cila do të luante në dramën e Eduard Olbit. Aktorja, që për vite me radhë është përpjekur të depërtojë në botën e teatrit austriak, vetëm pak kohë më parë pranoi për mediat se tashmë ishte kthyer dhe pret çdo ofertë që do t’i bëhet nga regjisorët këtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›