E Diel, 1 Nëntor 2026

Lahm largon shpresat për Champions: Arritja në çerekfinale, një sukses

Filip Lahm deklaroi se Bajerni i Mynihut duhet të fitojë titullin kampion në Bundesligë, që prej sezonit të parë nën drejtimin e Luis van Gal. Por, megjithëse e sheh si detyrim trofeun në kampionatin gjerman, ai nuk është shumë optimist rreth Ligës së Kampioneve: mbrojtësi beson se ecuri e suksesshme mund të quhet edhe arritja deri në çerekfinalet e aktivitetit prestigjioz për klube. Një prej arsyeve kryesore përse Jurgen Klinsman u largua nga drejtimi i stolit të bavarezëve gjatë sezonit të kaluar, ishte pikërisht eliminimi në Champions nga Barcelona, skuadra që më pas u shpall kampione e Europës. Megjithatë, Lahm këmbëngul se ndaj Van Gal nuk do të ketë presion që të përmirësojë paraqitjen e Bajernit në takimet ndërkombëtare, të paktën jo që prej edicionit të parë. Për gazetën "Welt", 25-vjeçari tha: "Këtë vit duhet ta fitojmë patjetër kampionatin, nuk mund të dështojmë as në garën për DFB-Pokal (Kupën e Gjermanisë)".

Emërimi i trajnerit holandez dhe blerjet e Mario Gomez e Anatoli Timoshuk ka ngritur entuziazmin e tifozerisë në "Alianz Arena". Mbështetësit janë të bindur se përveç dominimit në aktivitetet brenda Gjermanisë, Bajerni mund të korrë suksese edhe në sezonin e ri të Champions League. Gjithsesi Lahm, lojtari i përfaqësueses së Joakim Lëv dhe një prej elementëve më të spikatur të bavarezëve, u ka kërkuar fansave të jenë realistë rreth shanseve që ka skuadra në Europë. "Arritjen e çerekfinaleve në Ligën e Kampioneve, padyshim që do ta cilësoja një sukses. Por, çdo gjë është e mundur dhe janë shumë faktorë që ndikojnë në ecurinë e një skuadre në këtë kompeticion. Njëri prej atyre që ka mjaft peshë është edhe fati në momentin e hedhjes së shortit", shtoi mbrojtësi i krahut të majtë. "Objektivi ynë kryesor duhet të jetë arritja e një stadi, ku nuk do të kemi nevojë për fat, pavarësisht kundërshtarit dhe të jemi në gjendje të themi se mund të mposhtim këdo me forcat tona". Sipas Lahm, shembulli për t‘u ndjekur është Barcelona: "Spanjollët triumfuan në Champions dhe suksesi i tyre nuk ishte i rastësishëm: të gjithë mendonin se Barça do të ishte fituesja. Kjo duhet të jetë një pikë referimi për ne, por për t‘u nisur si të favorizuar në këtë garë, më parë duhet të luajmë disa vjet në nivelet më të larta".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›