Laibach në Prishtinë

Koncerti i grupit Laibach, i cili vjen për herë të parë në Kosovë, është pjesë e programit vjetor të Qendrës për Art Bashkëkohor -Stacion, në vitin kur ky grup slloven realizoi turneun e madh evropian. Në kuadër të turneut grupi u karakterizua me një interpretim tejet mbresëlënës në Muzeun Tate Modern, në Londër.
Ndryshe, në vitin 2012 Laibach realizoi albumin “Iron Sky OST”, i cili përmban muzikën origjinale të grupit, të krijuar për filmin “Iron Sky”, të regjisorit Timo Vuorensola. “Iron Sky” është një film i zhanrit aksion fantastiko-shkencor dhe i komedisë së zezë. Filmi bazohet në një tregim për nazistët, të cilët rikthehen në vitin 2018 për të sulmuar Tokëm, pra shumë vjet pasi që, në vitin 1945, ishin arratisur në anën e errët të Hënës. Premiera e filmit “Iron Sky” u shfaq në festivalit e sivjetmë të Berlinales.
Grupi Laibach kultivon muzikën e zhanrit Neue Slowenische Kunst (NSK). Grupi është themeluar në vitin 1984, në qytetin minator slloven Trbovlje. emrin e mori sipas emrit të Lubjanës në kohën e okupimit të Jugosllavisë gjatë Luftën e Dytë Botërore. Qysh në paraqitjen e parë multimediale "Red District", qëllimi i grupit ishte provokimi i strukturave të atëhershme politike.
Por, interpretimi i Laibach u ndalua para se të ndodhte, për shkak të, siç thuhej, përdorimit “të pavend dhe të papërgjegjshëm” të kryqit të Malevic si simbol i pllakatit të ngjarjes, gjë që shkaktoi reagime të shumta negative në media dhe në opinionin publik të asaj kohe. Që nga themelimi, nga aspekti vizual Laibach kryesisht është fokusuar në ikonografinë e minatorëve, edhe pse - me kalimin e kohës - grupi përvetësoi edhe simbole tjera, si Trigllavin, brirët e drerit, kryqin i Malevic...
Sipas ligjëruesit të audios dhe videos, Richard Wolfson, metodat e përdorura nga Laibach janë të thjeshta, efektive dhe skajshmërisht të hapura për keqinterpretim.
“Ata, së pari, i përvetësojnë sjelljet e armikut, duke i përvetësuar të gjitha shenjat dhe simbolet e fuqisë së shtetit, e pastaj i ekzagjerojnë të gjitha, duke çuar gjithçka në kufi të parodisë… Mes tjerash, ata kanë në shënjestër çështje goxha të ndjeshme, si frikën e Perëndimit nga imigrantët e Europës Lindore, lojërat me fuqinë e BE’së, analogjitë ndërmjet demokracisë perëndimore dhe totalitarizmit, etj”, thekson ai.
Koncerti i grupit Laibach në Prishtinë do të mbahet me 16 nëntor. Koncerti është pjesë e projektit të Qendrës për Art Bashkëkohor Prishtinë – Stacion, “Identity Restoration Reloaded”.