E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria, e angazhuar për zgjedhje të lira, sipas standardeve”

18-04-2013 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm Aldo Bumçi takon Drejtorin për Evropën Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi gjatë takimit me Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, shprehu angazhimin e  qeverisë shqiptare për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të drejtë, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Moore, i cili po viziton sot Tiranën, nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, ndërsa theksoi se me gjithë sfidat e shumta me të cilat SHBA përballen sot në botë, Ballkani do të vazhdojë të mbetet në fokusin e administratës amerikane për të ruajtur të gjitha ato arritje që janë bërë në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan.
Në këtë kontekst, Moore nënvizoi se shpreson për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që do të mundësonte ecjen e tyre përpara drejt integrimeve europiane.  Ministri Bumçi evidentoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin që SHBA i ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë. 
Ai nënvizoi kontributin e pazëvendësueshëm që SHBA kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe e siguroi zyrtarin amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në krah të Shteteve të Bashkuara në sfidat e përbashkëta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›