E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajçak: Filloni përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit

04/02/2011  I dërguari i BE rrëzon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme

“Duhet të jenë institucionet ato që do të hetojnë 21 janarin, jo retorika politike”

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për zgjidhjen e krizës në vendin tonë, Miroslav Lajçak, pasi zhvilloi dje takime me të gjithë krerët më të lartë të vendit, ku ka ndarë me ta shqetësimin e krerëve të BE-së në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeve për kapërcimin sa më shpejt të krizës politike që ka përfshirë vendin, dha një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij Lajçak theksoi se është e nevojshme të gjendet urgjentisht dialogu politik mes palëve. “Dhe kjo bëhet edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kjo garë politike duhet të përcjellë një mesazh shumë të fortë mbi aftësitë e institucioneve shqiptare për të bërë zgjedhje që arrijnë standardet e kërkuara, si dhe të përmbushin kriteret europiane”, - u shpreh Lajçak, duke lënë të kuptohet se opsioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme nuk është shumë i dëshiruar nga Bashkimi Europian.

Shqetësimi

Zëdhënësi i europarlamentares së lartë në BE Katerinë Ashton në konferencën e tij për shtyp theksoi gjithashtu se dhe pas takimeve të zhvilluara dje është i shqetësuar për situatën në Shqipëri. Nga ana tjetër ai shpreson që për të mirën e vendit “liderët tuaj do të dinë të gjejnë gjuhën e kompromisit”. Por ai shtoi se kjo është në varësi të sjelljes së udhëheqësve politikë në vend. “Duke qenë se liderët kanë deklaruar se demonstratat do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, i bëj thirrje popullit shqiptar që të mos provokojë dhunë dhe të distancohet nga ajo”, - deklaroi Lajçak.

Hapat

Ish-ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Lajçak, bëri të qartë hapat që duhen ndjekur për daljen sa më shpejt të Shqipërisë nga kjo krizë e thellë politike. Në lidhje me këtë ai tha se duhet “të hiqni dorë nga dhuna, qoftë edhe duke shmangur retorikën që e nxitin atë”. Gjithashtu ai theksoi se “duhet të tregohet më shumë respekt ndaj institucioneve”. Ndërsa në lidhje me hetimet që po zhvillohen në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit Lajçak u shpreh i mendimit se duhet të jenë institucionet që do të hetojnë. “Ajo që ndodhi më 21 janar sduhet të ndodhte. Unë u them politikanëve tuaj që ti ndajnë përgjegjësitë dhe të lejojnë që të zhvillohet një hetim sa më i gjithanshëm, rezultati i të cilit të mos jetë i kontestueshëm.

Vizita e dytë

Kjo është vizita e dytë brenda një jave që negociatori i BE-së Miroslav Lajçak zhvillon në Tiranë. Në lidhje me rikthimin e tij në vendin tonë ai shpreh para medieve shqiptare se do të përdorte kohën e tij për tu përcjellë liderëve politikë shqiptarë mesazhet e BE-së, pasi kishte një mandat të fuqishëm në emër të BE-së për të sjellë në Tiranë. “Ne duam që të shikojmë një fund të dhunës dhe ulje të përshkallëzimit të tensionit. Nuk është mënyra europiane e të zgjidhurit të çeshiteve politike ajo që pamë të premten”, - u shpreh ai.

Situata

Jo pak i shqetësuar është shprehur Lajçak edhe në lidhje me situatën në Shqipëri, e cila sipas tij vazhdon të mbetet e rënduar. “Unë u takova dhe bisedova me tre liderët politikë këtu në Shqipëri. Personalisht jam i shqetësuar, por kam besim në kapërcimin e situatës. BE-ja është me qytetarët shqiptarë dhe e gatshme pët tiu ndihmuar në çfarëdo mënyre të mundet. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e provokimeve dhe dhunës në protestat apo demonstratat e ardhshme”, - tha Lajçak, i cili shtoi se vetëm dialogu dhe bashkëpunimi mund të ulte tensionin e krijuar në vend.

Takimi me Ramën

Një takim për rreth një 1 orë e 30 minuta ka zhvilluar i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak me liderin e opozitës Edi Rama. Duhet theksuar se nga ana e selisë rozë nuk ka pasur asnjë koment për takimin dhe mesazhin që është dhënë nga BE-ja, por janë transmetuar vetëm thirrjet e Gjinushit dhe të Ngjelës, aleatë të PS-së, për protesta. Takimi me Ramën erdhi menjëherë pas takimit të të dërguarit të BE-së me kryeministrin Berisha dhe kreun e shtetit Bamir Topi dhe të dyja këto institucione dhanë disa detaje të përcipta të takimit. Gjithsesi, nisur nga mesazhi i dhënë në konferencën për shtyp, dihet tashmë se cili është qëndrimi i BE-së në lidhje me situatën në Shqipëri apo bojkotimin e zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjet e parakohshme që kërkon opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›