E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet vepra e plotë e Lasgushit në Pogradec

POGRADEC-Përurimi i veprës së plotë të poetit të madh Lasgush Poradeci, bëhet sot në qytetin e Pogradecit. Vepra e tij u botua me financim të plotë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në aktivitetin që do të zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit e Pogradecit, i pranishëm do jetë edhe ministri i TKRS-se, Ferdinand Xhaferaj. Të bijat e poetit Lasgush Poradeci, me financimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë mundur të nxjerrin për publikun poezinë e autorit, ashtu si ai vetë e shkroi atë, madje edhe me korrigjimet e tij. Në fakt, libri ka filluar që më 2009, një kohë që përkoi me "Vitin e Lasgush Poradecit", në 110-vjetorin e lindjes. Libri u botua nga shtëpia botuese "AlbPaper". Sipas familjarëve të tij, kemi një variant besnik të poezisë së autorit, sepse i referohet botimeve të dy librave që u bënë në Bukuresht, në gjysmën e parë të shekullit XX dhe ç'është më e rëndësishmja, për botimin aktual janë mbajtur parasysh shënimet dhe korrigjimet që Poradeci ka bërë në anë të faqeve. Ky botim i fundit përmban shpjegime të fjalëve në fund të poezive që ka bërë vetë poeti. "Vallja e yjve", ku bëjnë pjesë "Në vënd parafjale", "Vallja e qjellit", "Vallja e dherit", "Vallja e yjve", "Vallja e përjetësisë", "Vallja e vdekjes" etj., u botua nën kujdesin e Mitrush Kutelit, në vjeshtë 1933 në Bukuresht.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›