Lajçak pas takimit me Vuçiç: Patëm një bisedë të sinqertë, ai e kupton seriozitetin e situatës në veri

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak tha se presidenti e Serbisë, Aleksandar Vuçiç e kupton seriozitetin e situatës në veri të Kosovës, pas takimit që zhvilloi me këtë të fundit.
Lajçka tha se biseda ishte e sinqertë dhe u diskutua mbi zgjidhet politike që do të çonin në uljen e tensioneve dhe largimin e barrikadave nga serbët në veri.
“Sot vazhdova misionin në Beograd për t’u takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç. Zhvilluam një diskutim të hapur dhe të sinqertë mbi zgjidhjen politike që do të ulë tensionet dhe do të lejojë heqjen e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, shkruan Lajçak në Twitter.
Vizita e Lajçak dhe Escobar në Beograd, vjen pas takimit të zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në takimin me këtë të fundit, u vu theksi te nevoja urgjente për zgjidhje politike për rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë dhe gjetjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Tensionet në veri të Kosovës u shkaktuan nga arrestimi i një serbi, për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Kjo bëri që serbët të bllokonin rrugët kryesore në veri duke vendosur barrikada dhe sulmuan me bomba policinë e Kosovës dhe një patrullë të EULEX. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të hiqen barrikadat dhe palët të vetëpërmbahen nga deklarata e akte provokative dhe t’i rikthehen dialogut.
/rtsh.al/